Connect with us

Kronike

Tensionet në veri të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu është kundërpërgjigjur kërkesave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, dhe kryeministres serbe, Ana Bërnabiç, për dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës, duke thënë se “Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”.

Vuçiç paralajmëroi të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.Ndërsa, të premten, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, deklaroi se Serbia synon të kërkojë kthimin e një numri të caktuar trupash në Kosovë.

Kryeministri Kurti ka reaguar ndaj deklaratave të tilla duke i quajtur kërcënime me agresion ushtarak.

“Presidentja dhe kryeministri i Serbisë kanë kërcënuar edhe me agresion ushtarak, duke kërkuar që ushtria serbe të kthehet në territorin tonë. Ne nuk kërkojmë konflikt, por dialog dhe paqe. Por më lejoni të jem i qartë: Republika e Kosovës do të mbrohet me forcë dhe vendosmëri”,  – shkroi Kurti në Twitter. Ai tha gjithashtu se Kosova po punon me KFOR-in për të adresuar situatën “shpejt dhe në mënyrë paqësore”, por ka cilësuar se për tensionimet e fundit në veri nuk ka “pretekst”.

Situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar që nga fillimi i nëntorit, kur përfaqësues të komunitetit serb dhanë dorëheqje.

Advertisement