Kosova
Heqja e barrikadave, reagon Josep Borrell
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka reaguar pas nisjes së heqjes së barrikadave në veri të Kosovës. Ai tha se diplomacia çoi në ulje të tensioneve dhe se tashmë është koha për një progres urgjent në procesin e dialogut.
“Diplomacia mbizotëroi në uljen e tensioneve në veri të Kosovës. Dhuna nuk mund të jetë kurrë zgjidhje. Mirëpresim lidershipin e përgjegjshëm të Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti. Një punë e madhe ekipore e BE-së, SHBA-së dhe KFOR-it. Faleminderit të gjithë atyre që u përfshinë. Tani kemi nevojë për progres urgjent në dialog” – deklaroi Borrell
Gjithashtu Ministria e Punëve të Jashtme e Francës ka mirëpritur vendimin për heqjen e barrikadave dhe shtensionimin e situatës në veri. Përmes një deklarate, Franca i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të vazhdojnë punën në drejtimin e uljes së tensioneve në mënyrë që të shkohet drejt marrëveshjes së përgjithshme. Po ashtu, Franca tërheq vërejtjen se edhe marrëveshjet e deritanishme mes Kosovës dhe Serbisë të zbatohen.
Ndërkohë Deputeti i Bungestagut, Volker Ullrich ka reaguar për krizën e fundit në veri të Kosovës. Politikani gjerman tha se është e nevojshme që situata të qetësohet dhe të rikthehet stabiliteti dhe se perspektiva evropiane për Kosovën dhe anëtarësimi i përshpejtuar në Bashkim Evropian janë çështje urgjente.