Connect with us

Aktualitet

Debate në Kuvend për protestën/ Gazi lotsjellës, Lamallari: I certifikuar, protesta me mercenarë të paguar

Lëndët e përdorura nga Policia e Shtetit për të neutralizuar dhunën e protestuesve janë të gjitha të certifikuara, tha ministri i Brendshëm Besfort Lamallari në Kuvend. Ai tha se protesta po bëhet nga mercenarë të paguar dhe i bëri thirrje opozitës të largojë prej saj njerëzit me kapuçë.

“Janë të certifikuara nga kompanitë prodhuese dhe përdoren nga BE dhe SHBA. Kishte lezet partia e molotovarëve se u dilte përballë, por tani që hedhin gurin dhe fshehin dorën si skuthë që pretendojnë se protesta mund të bëhet me mercenarë të paguar. Të flasë për policinë dhe gardën që s’kanë krahasim me atë që gjetëm në 2013. Largoni njerëzit me kapuçë që aty para se t’i largojë policia! S’keni asnjë të drejtë të pretendoni se përfaqësoni njerëzit aty!”, tha ministri.

‘Po e mbyllni me vezë’, Muçi ‘parashikon’ sesionin parlamentar të shtatorit: Hyni në zgjedhje të parakohshme, po fituat 100 mandate, hallall!

Ky sesion parlamentar po mbyllet me vezë, u tha Redi Muçi deputetëve të parlamentit ‘duke parashikuar’ se ky do të jetë edhe fillimi i atij të ardhshëm. Më pas, tha se e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e parakohshme ku i siguroi se nëse mazhoranca merr 100 mandatet e pretenduara, do t’i urojnë.

“Sesioni i radhës i shtatorit do të nisë me vezë. Po tetori, nëntori, dhjetori? Me vezë. Mbani përgjegjësi politike, hyni në zgjedhje të parakohshme. Po fituat 100 mandate siç thoni, hallall  e paçi pushtetin! Jua lirojmë të gjitha karriget këtu! Por deri në atë moment do të kërcasë veza këtu! Nëse populli kërkon zgjedhje të parakohshme, duhet të shkoni në zgjedhje të parakohshme!”, tha Muçi.

‘Keni frikë nga veza!’ Zhupa akuza: Jeni hajdutë e terroristë, duhet të zhdukeni se jeni e keqja e madhe e vendit!

Pasi Niko Peleshi i tërhoqi vërejtje Taulant Ballës për fjalët e përdorura në Kuvend, Ina Zhupa tha se kjo nuk mjafton. Ajo tha se qeveria dhunon protestuesit jashtë parlamentit sepse i trembet vezës. Më pas iu drejtua me akuza duke i quajtur deputetët “hajdutë” dhe “terroristë”, që i kushtuan edhe asaj një vërejtje.

Ina Zhupa: Nuk kalohet me një vërejtje personi që në vetë të parë u ka hipur policëve mbi koka! Jeni mazhorancë hajdutësh dhe frikacakësh se vidhni çdo ditë! U vidhni qytetarëve çdo shpresë dhe pastaj jeni frikacakë! I dhunoni se keni frikë nga veza! Nuk është kualifikuar deri më sot veza si armë që mund të cenojë sigurinë tuaj! Kushtetuta thotë sovraniteti i përket popullit! Ka 53 ditë që kërkon sovranitetin e vet! I quajtët terroristë ata njerëz qe janë qytetarët më të mirë dhe të përgjegjshëm të këtij vendi, kur të vetmit terroristë jeni ju! Ju keni shkatërruar çdo sektor të këtij vendi! Vjen ministri dhe u thotë protestuesve budallenj! Nuk e meriton një vezë ky? Protestuesit që e paguajnë! U thua terroristë! Nuk e meriton një vezë ti? E meriton edhe më shumë! Ju duhet të zhdukeni nga jeta politike e vendit sepse jeni e keqja e madhe e këtij vendi!

Niko Peleshi: Tërheqje vëmendjeje për deputeten Ina Zhupa në bazë të rregullores.

Sulmi ndaj policëve, Balla: Të organizuara nga njerëz të lidhur me Iranin! Turp për PD që nuk distancohet nga aktet e dhunës

1784798097_balla.png

Kreu i grupit të PS, Taulant Balla dënoi aktet e dhunës së protestuesve ndaj policëve. Balla tha se terroristë të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit kanë organizuar dhunën në mënyrë të përsëritur ndaj policëve. Balla i bëri thirrje PD të distancohet nga dhuna duke thënë se në asnjë moment nuk do të lejojnë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit.

“Shprehim solidaritetin dhe lutjet që 4 punonjës të policisë së plagosur nga dhuna barbare nga disa elementë terroristë të cilët në mënyrë të përsëritur kanë goditur punonjës të policisë së shtetit, të cilët janë aktualisht në QSUT. Uroj që shëndeti dhe jeta e tyre të mos rrezikohet. Është keqardhje që PD jo vetëm që nuk e dënon dhunën, por bie pre e një solidariteti të turpshëm me disa terroristë të cilët nuk kanë asgjë të përbashkët me protestën që nisi kundër dhunës. Persona të identifikuar prej nesh me lidhje të qartë me Gardën Revolucionare të Iranit, janë organizatorët kryesorë të akteve të dhunshme,. Solidarizim i turpshëm i një partie të përdhunuar nga ajo protestë. Ne për asnjë moment nuk do të tolerojmë që të goditen punonjësit e policisë së shtetit, gjaku i policëve është gjaku i vetë shtetit, kush guxon të ngrejë dorë mbi policët, ka ngritur dorë kundër shtetit. Policia po bën punën e vet. Thirrja ime është për drejtësinë, edhe jetën e gjyqtarëve dhe prokurorëve e ruan policia. Nuk kam asnjë pritshmëri që kjo që ka mbetur nga PD të mos distancohet nga dhuna, ju mbeteni një grup i përdhunuar nga protesta dhe prandaj ju nuk distancoheni. Kuvendi duhet ta dënojë ashpër dhunën”, tha Balla.

Advertisement