Connect with us

Kronike

Gjermania nuk komenton kërkesën e Kurtit për shtimin e ushtarëve

Qeveria gjermane përshëndet marrëveshjen për largimin e barrikadave nga rrugët e veriut të Kosovës dhe shtendosjen e gjendjes, por lidhur me kërkesat e kryeministrit Kurti për shtimin e ushtarëve të NATO-s në Kosovë nuk ka asnjë koment. “Tani duhet të përqendrohemi tek mbështetja e dialogut dhe vazhdimi i bisedimeve” –tha zëdhënësja e qeverisë gjermane, Christiane Hoffmann, por nuk komentoi kërkesën e Albin Kurti për dërgimin e më shumë ushtarëve të NATO-s në Kosovë. Por përfaqësuesit e NATO-s kanë qenë të qartë në deklaratat e tyre se ata “janë në gjendje të kujdesen për paqen dhe sigurinë.” KFOR-i është në Kosovë prej vitit 1999 dhe kujdeset për sigurinë e vendit.

Rreth 3.800 trupat e NATO-s janë garanci për sigurinë në të gjithë Kosovën. Ngjarjet në veri u përshkallëzuan pas vendimeve për ndryshimin e targave ilegale, qe rezultoi me largimin e serbëve nga veriu nga institucionet e Kosovës, shpalljet dhe pastaj shtyrjen e zgjedhjeve për kryetarë bashkish në veri, sulmet ndaj përfaqësuesve të Kosovës por edhe atyre të bashkësisë ndërkombëtare, arrestimin e disa personave dhe lirimin në arrest shtëpie, bllokimin e rrugëve dhe heqjen e barrikadave.

Por ajo që ka shqetësuar më shumti si përfaqësuesit politikë e diplomatikë, ashtu edhe ata ushtarakë, është retorika luftarake që është dëgjuar në Beograd, rritja e shkallës së gatishmërisë së ushtrisë dhe policisë serbe, por edhe kërcënimet nga autoritetet e Kosovës se do të veprojnë me dhunë për heqjen e barrikadave. Situata në veri tani është e qetë, por problemet kanë mbetur, teksa Berlini tani kërkon vazhdimin e dialogut.

Advertisement