Connect with us

Aktualitet

Radhë dhe tension te mjekësia/ Studentët presin prej orësh për regjistrim

Procesi i regjistrimit të studentëve fitues në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë është shoqëruar këtë të mërkurë me radhë të gjata, pritje disaorëshe dhe tension mes kandidatëve.

Sipas denoncimit të një studenteje, kandidatët ndodhen në ambientet e universitetit që prej orës 08:30 të mëngjesit, në pritje për të marrë numrin që u mundëson kryerjen e regjistrimit.

“Na thanë në orën 14:30, por vajti ora 15:00 dhe akoma nuk janë shpërndarë numrat”, shprehet studentja.

Sipas saj, pritja e gjatë ka sjellë nervozizëm mes të rinjve, ndërsa në disa momente kandidatët janë shtyrë me njëri-tjetrin në përpjekje për të siguruar një numër dhe për të përfunduar procedurën.

STUDENTËT: PRESIM QË PREJ MËNGJESIT

Pakënaqësitë janë shtuar edhe pasi, sipas dëshmisë së studentes, procesi është ndërprerë gjatë pushimit të drekës, ndërkohë që dhjetëra kandidatë vijonin të prisnin jashtë prej disa orësh.

Studentët kërkojnë një organizim më të mirë të procesit, në mënyrë që regjistrimet të kryhen pa pritje të gjata dhe pa krijuar tensione të panevojshme.

Faqja zyrtare e Fakultetit të Mjekësisë ka publikuar ndërkohë renditjen e aplikantëve për raundin e parë të vitit akademik 2026–2027, por deri në momentin e verifikimit nuk rezulton një reagim publik i institucionit lidhur me problemet e raportuara sot gjatë procesit të regjistrimit.

Advertisement