Kronike
Gjiknuri: Berisha, Prendi, akuzë për “Vrasje në rrethana cilësuese”

Pas kallëzimi të bërë nga ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kete te merkure Partia Socialiste ka depozituar në SPAK një tjetër padi ku kërkon zbardhjen e 21 janarit, ku kallëzon penalisht për vrasje në rrethana cilësuese ish-kryeministrin Sali Berishën, ish-ministrin e Brendshëm Lulzim Bashën dhe ish-kreun e Gardës Ndrea Prendin.
Në një dalje për mediat nga selia rozë, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri nënvizoi se faktet e reja të bëra publike në media tregojnë qartë se urdhrat për të shtënë me armë zjarri ndaj protestuesve janë dhënë nga funksionarë të lartë shtetërorë për të shtënë ndaj personave të pafajshëm.
Gjiknuri thekson se përfshirja e Bashes në komunikim me radio rezulton e provuar dhe ky fakt krijon dyshime të arsyeshme bazuar se ndërhyrja e tij në lidhje të drejtpërdrejt me efektivin e gardës është bërë me porosi për të dhënë urdhrin e Sali Berishës Gjiknuri i bën thirrje organeve të drejtësisë që t’i shkojnë deri në fund zbardhjes së kësaj ngjarje dhe vendosjes para përgjegjësisë të urdhëruesve të vrasjes së 4 protestuesve të pafajshëm në bulevard.

