Kronike
Pagat përtokë dhe çmimet në qiell

Përveçse kanë pagat më të ulëta në rajon, familjet dhe individët shqiptarë përballen dhe me çmime më të larta sa herë që duan të plotësojnë nevojat e tyre të përditshme për tu ushqyer. Sipas statistikave të Eurostat, çmimet mesatare të ushqimeve dhe pijeve alkoolike në Shqipëri janë sa 83.3% e mesatares së Bashkimit Europian, duke u renditur e dyta më e shtrenjtë në rajon, pas Serbisë me 85.5%.
Më e lira në rajon është Maqedonia e Veriut, me 64.4% të mesatares europiane, Bosnjë Hercegovina 78.8, Kosova 80.6%, Mali i Zi 82.2%. Në të kundërt, paga mesatare në Shqipëri është më e ulëta në rajon. Në shtator 2022, paga mesatare mujore bruto në Shqipëri ishte rreth 520 euro, ose rreth 40% më e ulët se në Serbi, ku paga mesatare arriti në 880 euro/muaj në të njëjtën periudhë.
Në Mal të Zi paga mesatare është 885 euro, Bosnjë Hercegovinë 896 euro, Maqedoninë e Veriut 788 euro. Në Kosovë, në fund të 2021-t, ky tregues ishte 482 euro. Çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë rritur më shpejt se mesatarja e Bashkimit Europian. Sipas Eurostat, në vitin 2016, çmimet e ushqimeve dhe pijeve jo alkoolike ishin sa 71% e mesatares së Bashkimit Europian, duke qenë relativisht më të lira se Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë Hercegovina, duke lënë pas Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.
Pesë vjet më pas, Shqipëria është e dyta më e shtrenjtë për çmimet relative të ushqimeve me rajonin, ndërsa diferenca mes pagave është rritur në 40%.

