Connect with us

Aktualitet

Kulaçi mbaroi, gati kerbaçi, Shkrim nga AP, Editorial NTV.AL

Kosova është e lirë që të mos e themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe mund të tërhiqet krejtësisht nga Marrëveshja e vitit 2013, por atëherë duhet “të bart pasojat e zhbërjes së të gjitha të arriturave të mëhershme (lëvizjen e lirë, Kodin telefonik të Kosovës +383, integrimin e pjesës veriore, kontrollin e dy pikave kufitare me Serbinë e të tjera)” – Kështu thuhet në dokumentin e fundit non-paper që ka siguruar ekskluzivisht Albanian Post. Me një gjuhë të ashpër dhe aspak diplomatike në këtë non-paper, i punuar nga një diplomat perëndimor i përfshirë thellë në procesin e pajtimit mes Kosovës dhe Serbisë, është bërë e qartë se çfarë humbasin Kosova dhe Serbia nëse përpjekjet e perëndimit për të vendosur paqe në rajon ballafaqohen me vonesa e bllokada të qëllimshme nga Aleksandër Vuçiç e Albin Kurti. I ndarë në 11 pjesë të veçanta dhe me mbi 20 nënpika, non-paper prej gjashtë faqesh që, sipas burimeve të AP përmbledh gjithçka me të cilën ballafaqohen Kurti dhe Vuçiç, ka më shumë fokus sqarimin e pasojave fatale të mos-nënshkrimit të Marrëveshjes Bazë mbështetur në Propozimin Evropian, sesa shpjegimin e përfitimeve eventuale. Një nga pjesët më të rëndësishme të dokumentit është titulluar “Dinamikat Përpara – dështimi nuk është opsion”, ku bëhet e ditur se Bashkimi Evropian dhe Perëndimi nuk e kanë më ndërmend të jenë lojtarë vëzhgues në “taktikat vonuese” dhe “taktikat bllokuese” të Kosovës dhe Serbisë Aty shkruhet se nëse Prishtina apo Beogradi zyrtar, dështojnë të jenë partnerë konstruktivë dhe nuk e nënshkruajnë marrëveshjen, atëherë “kjo nënkupton ndalimin e procesit të integrimit dhe një prapakthim potencial të raporteve me BE-në dhe të mirave që vijnë me të”. Sipas këtij dokumenti, “Kosova nuk mund të aspirojë të vazhdojë ta gëzojë mbrojtjen absolute nga bota perëndimore, që është jetike për ekzistencën e vet dhe në të njëjtën kohë të hezitojë në përqafimin e përpjekjeve perëndimore për paqe të përhershme”. Gjithashu nga ana tjetër, “Serbia nuk mund të aspirojë të vazhdojë të gëzojë benefitet financiare, ekonomike dhe politike të marrëveshjeve ekzistuese dhe në të njëjtën kohë të minojë përpjekjet e perëndimit për paqe të përhershme”. Dokumenti gjithashtu i bën të qartë Serbisë se “bixhozi me shpresa të rrejshme se në të ardhmen, NATO dhe BE-ja do kolapsojnë duke mundësuar kështu ri-pushtimin e Kosovës, është një recetë për fatkeqësi”. Shtetet perëndimore bëjnë të qartë në këtë dokument se janë jashtëzakonisht të përfshira dhe po kërkojnë nënshkrimin e një marrëveshje që është “minimalisht ambicioze”, prandaj nëse hasin në bllokada e vonesa të tjera, do të jenë shumë rigorozë në qasje, sepse dështimi i këtij procesi dëmton “seriozisht kredibilitetin e BE-së dhe kredibilitetin e të gjithë botës perëndimore”. Në dokumantin non paper thuhet se “në takimin e radhës, palët “do të informohen për pasojat e rënda nëse refuzohet propozimi”, dhe perëndimorët do të fillojnë të përdorin pa hezitim shkopinjtë, sepse nëse tregohet hezitim kjo do të mund të nënkuptohej si mungesë përkushtimi. Tjetër lëvizje e menjëhershme do të jetë edhe caktimi i një date të qartë për nënshkrimin e marrëveshjes. “Pa një datë të prerë, zgjatja, vonesat dhe bllokadat nuk do bëjnë gjë tjetër, veçse do përqeshin kpafuqinë e Evropës dhe botës perëndimore” – thuhet në dokument ku theksohe gjithashtu se diplomacia nuk do të ketë efektin e dëshiruar, atëherë është ruajtur edhe një kartë e fundit: Organizimi i një konferencë evropiane (e modeluar sipas eksperiencave të kaluara) si përpjekje e fundit për të bindur palët”.

Advertisement