Rajon
Marrëveshja/ Vuçiç: Perëndimorët kërcënuan me pasoja të rënda
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, paralajmëroi të enjten se vendi i tij do të përballet me pasoja të rënda nëse refuzon një plan perëndimor për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Ai i bëri këto komente në një seancë të trazuar të parlamentit serb në të cilin raportoi për propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane.
“Jemi në një moment të vështirë dhe shumë të ndjeshëm. Nga njëra anë duhet të ndihmojmë njerëzit tanë në Kosovë, duhet t’i shmangemi dënimit dhe ndëshkimit dhe të kujdesemi për interesat jetike kombëtare”, tha ai.
Muajin e kaluar, të dërguarit e Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara si dhe të Gjermanisë, Francës dhe Italisë qëndruan në Prishtinë dhe në Beograd për të nxitur një marrëveshje Kosovë – Serbi.
Presidenti serb u tha ligjvënësve se të dërguarit paralajmëruan se nëse Serbia nuk e pranon propozimin, pasojat do të jenë të rënda.
“Pastaj në fjalinë e tretë ata thanë, citoj: zoti president, nëse nuk pranohet puna për këtë nismë dhe zbatimin e saj, do të jeni përballë, citoj, pezullimit të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, jo vetëm me ndërprerjen e investimeve të mëtejshme nga bota perëndimore në Serbi, por edhe me tërheqjen e të gjitha investimeve nga vendi juaj dhe me masa të tjera gjithëpërfshirëse që duhet të tregojnë se si duhet të përfundojnë ata që nuk janë dakord me Bashkimin Evropian”, tha zoti Vuçiç.
Ai tha se në propozimin evropian ka gjëra të mira, por edhe të rënda.
“Shumë më i rrezikshëm është neni i katërt i propozimit. Në paragrafin e dytë thuhet se Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Pavarësisht nëse kundërshtojmë apo jo, ata e kanë shumicën në Këshillin e Evropës kur ata vendosin ta bëjnë këtë. Kundërshtojmë apo jo, ata kanë shumicën për NATO-n, kundërshtojmë apo jo, për Bashkimin Evropian, ky është vendimi i tyre”, tha ai.
Presidenti serb tha se tashmë ka një pajtim që të ecet përpara me detyrimin që del nga marrëveshja e Brukselit, që është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Siç mund ta shihni, shqiptarët nuk duan ta zbatojnë atë. Asociacioni i komunave serbe nuk mund të jetë ndonjë organizate joqeveritare, asociacioni duhet të jetë ashtu siç është nënshkruar në Bruksel. Nuk ka asgjë më shumë për të diskutuar, këto janë marrëveshje nënshkruara, por ajo që mua më brengos është që ata do të provojnë sërish që të negociojnë, apo bisedojmë për të provuar që të pakësojnë kompetencat e Asociacionit të komunave serbe sepse nuk janë të gatshëm atë që e kanë pranuar dhe nënshkruar ta zbatojnë. Dhe kjo do të shkaktojë probleme të reja”, tha zoti Vuçiç.
Fjalimi i tij në parlamentin e Serbisë u ndërpre në disa raste nga deputetët e opozitës që e akuzuan presidentin serb për tradhti dhe kërkuan dorëheqjen e tij. Senaca u përfshi edhe nga përplasjet ndërmjet deputetëve të opozitës dhe atyre të partisë së presidenti serb.
Duke kritikuar partitë opozitare për siç tha mosveprim ndaj çështjes së Kosovës derisa ishin në pushtet, presidenti serb tha se do t’i kundërvihet çdo përpjekjeje për anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
Presidenti serb, ka lënë të kuptohet se do të pranojë propozimin evropian një qasje që u vlerësua nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se në një bisedë telefonike e ka falënderuar presidentin serb për angazhimin e tij konstruktiv me ekipin amerikan dhe evropian dhe për qasjen e hapur ndaj propozimit të Bashkimit Evropian për sigurimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon, që është thelbësor për sigurimin e së ardhmes evropiane të Serbisë.