Connect with us

Aktualitet

Kurti ka ca kushte/ Shkrim nga NTV | Editorial NTV.AL

Fjalia e Kurtit se Asociacioni “mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës”, ka nxitur reagimin e opozitës duke thënë se 2 shkurti është dita kur Kryeministri e pranoi mekanizmin që për një kohë të gjatë e kishte quajtur në serbisht Zajednicë. Por, 6 kushtet e fundit të Albin Kurtit, e sidomos ai që ‘Asociacioni të zbatohet pas njohjes së Kosovës nga Serbia’, mund ta çojnë kryeministrin në një përplasje më të forte me amerikanët, teksa Uashingtoni po e kërkon menjëherë këtë mekanizëm dhe të shkëputur nga marrëveshja finale. Nga foltorja e Kuvendit, pasi shigjetoi ndërkombëtarët si të pakuptimtë dhe joproduktiv me propozimet e tyre, dhe teksa u shpreh i keqardhur me qasjen e emisarit amerikan, Gabriel Escobar i cili më herët ishte shprehur se Asociacioni do të bëhet edhe pa Kryeministrin, Albin Kurti shpalosi disa pika si kushte për themelimin e Asociacionin të komunave me shumicë serbe. Ndër kushtet që mund ta përballin shefin e Qeverisë me ndërkombëtarët është koha e themelimit dhe zbatimit të projektit për asociacionin, pasi SHBA’të po kërkojnë që ai të bëhet menjëherë në mënyrë që të ecet paralelisht me planin franko gjerman. Por, Kurti ka qëndrim tjetër që e ka shprehur në pikën 5 të kushteve. Sipas tij, Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes finale dhe të zbatohet pas njohjes reciproke dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. Një kërkesë tjetër e Kurtit, që u bë publike për herë të parë, është që Asoaciacioni ta ndryshojë emrin. Sipas tij, ai nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje locale Kryeministri i Kosovës, në kushtin numër 4 thotë se gjithashtu duhet bërë dorëzimi i armëve ilegale nga serbët në Veri. Kreu i qeverisë ka lënë të kuptohet se nuk do të pranojë asgjë dhe asnjëherë pa negociata në Bruksel me palën serbe duke i bërë thirrje kryediplomatit Borelli që të organizojë takime të reja me Vucic. Këshilltari Special i Departamentit të Shtetit i ka telefonuar Kurtit javën e kaluar duke i kërkuar që ta pranojë planin franko gjerman. Megjithatë Kryeministri e sheh korespondencën telefonike vetëm si ‘propozim të mirë’ për të cilin duhen negociata. Nga ana tjetër, pala serbe aktualisht është duke e gëzuar statusin e palës bashkëpunese në bisedime me ndërkombëtarët. Vlen të kujtojmë se vetëm një ditë më pare, Aleksandër Vuçiç pati një telefonatë nga Uashingtoni ku u përgëzua për qasjen e tij ndaj emisarëve dhe planit franko gjerman. Pas telefonatës, u njoftua se Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiç, shkoi në Washingron ku u prit nga Derek Cholet. Ndërkohë, nga Kosova në SHBA po qëndrojnë liderë partiakë dhe deputetë opozitar por askush nga Qeveria. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndërkaq në ditën që amerikanët mblodhën qeveritarë e opozitarë në ambasadën e tyre në Prishtinë, tha për mediat se ‘cdo gjë që vjen nga SHBA është e mirë’. Tani mbetet të shihet nëse edhe Kurti do të marrë ndonjë telefonatë nga përtej Atlantikut.

Advertisement