Connect with us

Aktualitet

SPECIALE/ BERZH: Tregu do ishte përmirësuar nëse reforma në drejtësi do ishte më e shpejtë

Banka Europianë për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH thotë se se tregu në Shqipëri do të përmirësohej nëse reforma në gjyqësor do të kishte ritme më të shpejta dhe vendi do të kishte kontroll më të fortë mbi paratë e pista. Pak ditë më parë (BERZH) prezantoi gjetjet e Raportit të Tranzicionit për vitin 2022-23. Për Shqipërinë, treguesi që mat mirëqeverisjen shënoi rënie, krahasuar me gjashtë vite më parë. Sipas përfaqësuesve të kësaj banke, viti 2022 ishte një vit sfidues në të gjitha rajonet ku ata investojmë, përfshirë Shqipërinë. Ekonomitë në Europë janë prekur thellësisht nga kriza energjetike dhe ndërprerje të tjera, pikërisht në kohën kur ato po rimëkëmbeshin nga pasojat e pandemisë së Covid-19. Një nga kapitujt e këtij raporti evidenton format se si kompanitë menaxhuan ndërprerjet e ndryshme të zinxhirit të furnizimit dhe dokumenton zhdërvjelltësinë e jashtëzakonshme të ndërmarrjeve private. Tre të katërtat e kompanive që veprojnë në Europë në import dhe eksport u përballën me ndërprerje të rrjetit të furnizimit, si pasojë e politikave 0-covid të Kinës, të pushtimit rus në Ukrainë, motit ekstrem e shumë arsye të tjera. Kompanitë u treguan tepër elastike, rritën inventarët dhe gjetën furnizues të rinj (në 80% të rasteve, jashtë shteteve të tyre) dhe digjitalizuan menaxhimin e zinxhirit furnizues. Treguesit e qeverisjes ndërthuren me një sërë masash të qeverisjes në nivel vendor dhe korporatave, thotë BERZH. Luhatja në rezultate pasqyron ndryshimet e shumë treguesve dhe gjithashtu varet nga progresi i bërë nga vendet e tjera, gjatë së njëjtës kohë. Renditja e Shqipërisë në listën e indeksit të perceptimit të korrupsionit që analizon Transparency International, ishte më e ulët në vitin 2022 se sa në vitin 2016. Duke parë drejt së ardhmes, një ritëm më i shpejtë i reformës gjyqësore do të sillte rezultate në përmirësimin e tregut, shton më tej kjo bankë. Në të njëjtën mënyrë, do të kishte një përmirësim të tregut nëse do të zbatoheshin shqetësimet e ngritura nga Task-Forca e Veprimit Financiar në lidhje me kontrollet kundër pastrimit të parave, shqetësime të cilat e kanë futur aktualisht Shqipërinë në të ashtuajturën “listë gri”, zyrtarisht e njohur si lista nën monitorim të shtuar. Në terma afatgjatë, të dhënat e studimit të BERZH tregojnë përparim. Çdo 6 vjet, sëbashku me Grupin e Bankës Botërore dhe Bankën Europiane të Investimeve ne krhyen sondazhe përfaqësuese me kompanitë. Atyre u drejtohet një numër i madh pyetjesh rreth përvojave të tyre, përfshirë përvojat tipike të korrupsionit dhe informalitetit në sektorët dhe fushat në të cilat ato operojnë. Kur ky sondazh u zhvillua 20 vite më parë, në vitin 2002, kompanitë në Shqipëri raportuan se 6% e shitjeve të tyre shkonin për pagesa informale. Në vitin 2019, kjo përqindje kishte rënë në 2.7%. Kjo shifër vijon të mbetet më e lartë se Italia për shembull, ku mesatarja është rreth 0.3%, por gjithesi është më e ulët se 20 vite më parë. Pavarësisht nga këto tendenca pozitive afatgjata, mbetet ende shumë punë për t’u bërë, duke përfshirë këtu rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, thonë përfaqësuesit. Bëhet fjalë për disa sfida si reforma e gjyqësorit, dispozitat ligjore kundër pastrimit të parave dhe zbatimi i tyre, për shembull. Inflacioni është një sfidë madhore e ekonomive me të cilat BERZH po punon në Europë, Mesdheun Jugor dhe Lindor dhe Azinë Qendrore. Në të gjithë rajonet inflacioni arriti pikun e tij në tetor 2022, me një mesatare prej 17.5%, nivel i përjetuar për herë të fundit në recesionin e vitit 1998. Inflacioni ka nisur të bjerë gradualisht që nga tetori. Çmimet e energjisë elektrike (në veçanti çmimet rekord të gazit natyror në Europë) dhe çmimet e ushqimeve ishin nxitësit kryesorë të inflacionit në fillim, ndërsa tani përbëjnë thuajse gjysmën e presionit inflacionist.

Advertisement