Politike
Berisha: Kim bashkëpunoi me Ramën për të lënë vendin pa opozitë
Ish kryeministri, Sali Berisha nga Pogradeci, akuzoi kryeministrin, Edi Rama se po bënte përpkjekje antikushtetuese për të penguar opozitën që të hyjë në zgjedhje duke iu referuar vendimit më të fundit të gjykatës së Apelit në 3 mars që dërgoi për rigjykim çështjen që do të vulosë fatin e drejtimit të PD-së.
Berisha tha se do të merrte pjesë në zgjedhjet lokale të 14 majit dhe do të fitonte, duke mos bërë të qartë nën cilën sigël do të regjistrohet në zgjedhje nëse KAS lë në fuqi vendimin e KQZ për mospranimin e kërkesës së tij për regjistrimin e PD-së në zgjedhje, me arsyetimin se Lulzim Basha është kryetar i ligjshëm.
Kreu i Rithemelimit nuk la pa akuzuar edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim për të cilën tha se në bashkëpunim me kryeministrin Edi Rama ishte përfshirë për të penguar që opozita të hyjë në zgjedhjet lokale të 14 majit. Ai tha se ka edhe dokumente zyrtare që faktonin përfshirjen e Yuri Kim në përpjekjet për skenarin kundër opozitës shqiptare.
“Ajo bashkë me Edi Ramën janë përpjekur të lënë Shqipërinë pa opozitë në zgjedhjet lokale. Yuri Kim nuk thotë asnjë fjalë prej dy muajsh për një ndër superskandalet më të mëdha. Hesht sepse ka qenë vetë e zhytur në skenarin e luftës kundër opozitës. Ka qenë vetë e përfshirë dhe për këtë kemi dokumenta zyrtare. Por këto projekte dështuan”- shtoi Berisha.
Gjatë takimit të tij në Pogradec në kuadër të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit, Berisha prezantoi kandidatin Zini Tollozhina për kreun e bashkisë së këtij qyteti.