Sport
Adri Mehmeti, djali i emigrantëve shqiptarë që Amerika e sheh si të ardhmen e futbollit të saj
Ishte minuta e 88-të e ndeshjes SHBA–Peru, në shtator, kur gjyqtari i katërt sinjalizoi në tabelë numrin 26. Amerikanët po fitonin 4-1 dhe loja nuk kishte më interes. Po për Adri Mehmetin, 17 vjeç, ky ishte çasti më i madh i jetës.
Nga fusha po dilte Tajler Adams, kapiteni i kombëtares amerikane. Edhe ai është rritur në akademinë e Nju Jork Red Bulls, dhe Mehmeti e konsideron modelin e tij. Adams i buzëqeshi, ai ia ktheu buzëqeshjen, u përqafuan shkurt dhe Mehmeti hyri në lojë. Sipas New York Times, që brenda minutës së parë ai bëri pesë pasime.

Ishte debutimi me kombëtaren e SHBA-së i një djaloshi lindur në Amerikë nga prindër shqiptarë. Ai flet shqip, kthehet çdo vit me familjen në Shqipëri dhe në vitin 2023 ka luajtur për kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë.
Viti që i ndryshoi gjithçka
Ngjitja e Mehmetit ka qenë e shpejtë edhe për standardet e futbollit amerikan, i cili këto vite po nxjerr shumë talente të reja.
Në shkurt luajti ndeshjen e parë me ekipin e parë të Red Bulls, në moshën 16-vjeçare. Në prill shënoi golin e parë në kamopionat. Që atëherë është ndër emrat e parë në formcionin e çdo ndeshje. Sipas NYT, ka qenë titullar në të 25 ndeshjet e kampionatit kur ka qenë në dispozicion.
Në shtator, trajneri i kombëtares amerikane, Mauricio Poçetino, e thirri në grumbullim.
“Nuk e prisja që të ndodhte kaq shpejt,” i tha ai CNN-it.
Mehmeti luan mesfushor mbrojtës, një rol që zakonisht ua besojnë lojtarëve me shumë vite përvojë. Ai vendos ritmin e lojës, kërkon topin edhe ruan qetësinë edhe kur është i rrethuar duke e bërë futbollin të duket i lehtë.
Nuk luan si një lojtar tipik amerikan, që mbështetet te fuqia dhe vrapi. Loja e tij është fine, më e menduar: finte me trup, pasime që nuk i parashikon kundërshtari, lexim i mirë i hapësirës. Nuk është çudi që në moshën pesë vjeç, kur shihte Barcelonën, i bëri përshtypje Serxhio Buskets dhe jo Mesi.
“Marakana e vogël” në Stejtën Ajllënd
Lojën nuk u mësua në akademi. E mësoi në oborrin e shtëpisë.
I ati, Van Mehmeti, u rrit në Shqipëri, luajti futboll gjysmëprofesionist në Greqi dhe në moshën 21-vjeçare shkoi në Amerikë, pas së motrës. Atje u njoh me Suadën, edhe ajo e lindur në Shqipëri. Që në fillim i kishte thënë se donte që fëmijët e tij të luanin futboll. Kur e sollën Adrin nga materniteti, tregon ai, rreth krevatit kishte vënë 50 topa. Lodrat erdhën më pas.
Kur Adri ishte dy vjeç, familja u vendos në Stejtën Ajlënd. Vani hoqi gardhin rreth shtëpisë dhe ngriti një mur betoni, që djali ta godiste topin dhe ta merrte vetë. Oborrin me bar e quajtën “Marakana e vogël”, sipas stadiumit të famshëm brazilian.
Llogaria e të atit ishte e thjeshtë: 300 pasime me secilën këmbë, dy herë në ditë, nga pesë deri në dymbëdhjetë vjeç. Rreth një milion e gjysmë prekje topi.
Edhe sot e kësaj dite, babë e bir luajnë një me një përballë njëri-tjetrit.
Talenti u pa shpejt. Te skuadra e lagjes, që pesë vjeç, luante me fëmijë dy vjet më të mëdhenj. E pasonte topin me një prekje, pa e ditur ende si quhej kjo gjë.
Në vitin 2019, rreth dhjetë vjeç, hyri në akademinë e Red Bulls. Kjo kërkonte katër stërvitje në javë në Nju Xhersi. Vani, që ka një biznes me kamionë, i rregulloi oraret që ta çonte vetë: punonte natën, flinte katër orë dhe pastaj ulej sërish në timon.
Në akademi e kuptuan menjëherë se kishin një talent të rrallë. Drejtuesi i akademisë, Shon Mekaferti, i tha NYT se kushdo që e sheh Mehmetin të luajë kupton një gjë: ky djalë është ndryshe. Në moshën 14 vjeç kaloi te ekipi i dytë; debutoi si profesionist para se të mbushte 15; një vit më vonë mori shiritin e kapitenit. Me atë ekip fitoi kupën MLS Next Pro. Kur trajneri Majkëll Bredli kaloi te ekipi i parë, e mori Mehmetin me vete.
Jashtë fushës është një adoleshent si gjithë të tjerët. Shkollën e bën online mes seancave të stërvitjeve dhe ndeshjeve, luan video-lojëra dhe golf me shokët e skuadrës. Në stërvitje e çon e ëma: është i vetmi në ekip që nuk ka patentë.
Shqipëria: dera nuk është mbyllur, të paktën në letër
Lidhja me Shqipërinë nuk është thjesht nostalgji. Familja ka një apartament këtu dhe vjen një herë në vit. Kur në vitin 2023 iu dha rasti, babai e bindi Adrin të shkonte në grumbullim me kombëtaren e moshave.
Arsyetimi i tij ishte i thjeshtë: unë dhe nëna jote kemi lindur në Shqipëri, të paktën një herë duhet ta përfaqësosh, provoje dhe pastaj vendos vetë. Adri luajti tre ndeshje dhe shënoi një gol. Në tribunë, sipas Vanit, kishte rreth njëqind të afërm nga fisi.
“Ne nuk harrojmë nga vijmë,” i tha Van Mehmeti NYT. Por shtoi se Amerika i ka dhënë gjithçka: shtëpinë, gruan, fëmijët. Vendimi, tha, është i Adrit.
Dhe Adri duket se e ka marrë vendimin. Megjithatë, formalisht çështja nuk është mbyllur. Sipas rregullave të FIFA-s, një lojtar lidhet përfundimisht me një kombëtare vetëm pasi luan në një ndeshje zyrtare, si kualifikueset apo turnetë e mëdha. Ndeshja me Perunë ishte miqësore. Prandaj në Amerikë flitet hapur se Mehmeti duhet “siguruar” sa më shpejt.
Për Shqipërinë, kjo histori nuk është e re. Xhaka, Shaqiri dhe Januzaj zgjodhën Zvicrën e Belgjikën. Mehmeti po ecën në të njëjtën rrugë, drejt një federate me para, infrastrukturë dhe një kombëtare që sapo priti Kupën e Botës në shtëpi. Pyetja nuk është pse një djalë 17-vjeçar zgjedh vendin ku është rritur. Pyetja është çfarë u ofron futbolli shqiptar talenteve të diasporës, përveç ndjenjës.
Evropa është në pritje
Mehmeti tashmë bën pjesë në një brez të ri adoleshentësh amerikanë, bashkë me Kavan Sullivanin, Xhulian Hollin dhe Xhastin Elisin, që shihen si shtylla e kombëtares për vitet që vijnë.
Klubet evropiane e ndjekin nga afër. Falë rrjetit të Red Bullit, është stërvitur më parë me Salcburgun dhe ka luajtur si i ftuar me një ekip të moshave të Lajpcigut.
Sipas NYT, pak njerëz presin që ai të jetë ende në MLS kur të mbahen Lojërat Olimpike të Los Anxhelosit në vitin 2028. Halli i federatës amerikane atëherë nuk do të jetë nëse do ta thërrasë, por nëse klubi i tij evropian do ta lërë të shkojë.