Sport
RIKTHIM PAS 19 VITESH/ KA DASHURI QE NUK HARROHEN, DESCHAMPS NE RADARET E JUVENTUSIT
Juventus-i po shqyrton mundësinë e emërimit të Didier Deschamps në stolin e skuadrës, në rast se vendos të ndërpresë bashkëpunimin me Luciano Spalletti-n.
Trajneri francez, i cili u largua nga drejtimi i Kombëtares së Francës pas Botërorit 2026, është mes emrave që pëlqehen nga drejtuesit bardhezi.
Sipas raportimeve të mediave italiane, Deschamps është përfshirë në listën e kandidatëve të mundshëm për të marrë drejtimin e Juventus-it. Situata e klubit torinez është komplikuar pas rezultateve zhgënjyese në Serie A dhe humbjes 2-0 ndaj Genoa-s, që ka shtuar presionin mbi Spalletti-n.
Juventus-i renditet në vendin e tetë pas nëntë javësh kampionat, larg pritshmërive të fillimit të sezonit. Një tjetër rezultat negativ, këtë herë ndaj Napoli-t, mund të ndikojë drejtpërdrejt në të ardhmen e trajnerit italian.
Përveç Deschamps, në listën e kandidatëve përmenden edhe Stefano Pioli dhe Antonio Conte. Ky i fundit, megjithatë, raportohet se nuk është veçanërisht i interesuar për një rikthim në Torino, pasi mund të presë një mundësi te Manchester United.
Deschamps ka një lidhje të veçantë me Juventus-in, ku luajti si futbollist dhe fitoi Champions League në vitin 1996, si dhe tre tituj të Serie A.
Ai ishte gjithashtu trajner i bardhezinjve në sezonin 2006-07 kur u rrënuan në Serie B, të cilën më pas edhe e fituan, por francezi u largua nga detyra pak para përfundimt të sezonit. Kjo përvojë e kaluar e bën ish-trajnerin e Marseille një emër të njohur për klubin.
Deschamps u largua nga drejtimi i Juventus-it në maj të vitit 2007 për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit, veçanërisht për strategjinë e merkatos dhe projektin sportiv.
Interesant është fakti se Deschamps më vonë e pranoi se largimi nga Juventus-i ishte një gabim. Në vitin 2014, ai deklaroi se, po të kthehej pas në kohë, nuk do të merrte të njëjtin vendim.