Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | A do i njohin serbët, kryetarët shqiptarë të komunave?

Zgjedhjet e së dielës në veri të Kosovës u bojkotuan masivisht nga serbët. Reagimet ndërkombëtare pas zgjedhjeve pa incidente ishin pozitive, Serbia reagoi me zemërim. Presidenti Vuçiq i cilësoi zgjedhjet “pushtuese”. Me një pjesëmarrje shumë të ulët dhe bojkotim nga ana e partive politike serbe u zhvilluan zgjedhjet për kryetar të komunave në katër komuna të veriu të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm 1 mijë e 567 qytetarë, apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar e hodhën votën e tyre. Megjithë këtë pjesëmarrje kaq të ulët, procesi i zgjedhjeve cilësohet “legjitim”. Komunat veriore me shumicë serbe kanë tanimë 4 kryetarë të zgjedhur. Sipas rezultateve paraprake, Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, është fitues në Leposaviq me 73.5 për qind të votave, apo 100 vota gjithsej. Kandidati i tjetër i VV, për Mitrovicë të Veriut, Erden Atiq, fitoi 66.5 për qind të votave, apo 519 vota gjithsej. Në Zubin Potok, fitoi Izmir Zeqiri, nga Partia Demokratike e Kosovës me 52.1 për qind të votave, apo 196 vota. Dhe në Zveçan, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës me 60 për qind të votave apo 114 vota. Vetëm një kandidate në Zveçan ishte serbe, Sllagjana Pantoviç. Reagime ndërkombëtare pas zgjedhjeve Megjithë bojkotimin masiv që ju bë zgjedhjeve në veri nga serbët dhe partitë politike serbe, Ambasada Amerikane në Prishtinë, tha se “zgjedhjet në veri janë në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës “Mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatën zyrtare të ambasadës amerikane.

Advertisement