Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Muri i akullt mes Kurtit dhe Escobar/ Çfarë pritet në vijim?

Instinkti rëndom kuptohet si një mënyrë e sjelljes, të menduarit dhe të ndjerit që nuk është e mësuar nga përvoja, por që është e natyrshme, e përbrendësishme dhe që buron vetiu. E saktësisht këtë “instinkt” ia vuri në dyshim Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, emisari amerikan, Gabriel Escobar. Ky i fundit qe shprehur se është i habitur me kryeministrin kosovar se si “nuk e ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe bashkërendimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Disa ditë më vonë, megjithatë, tha se “është i zahmetshëm në raste” por gjithsesi se partner i ShBA’së. Kjo u lexua dhe tingëlloi si “zbutje”, por a është? Asnjëherë më parë s’kishte ngjarë të kishte betejë dhe fërkime verbale të kësaj natyre ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës. Një mosdëgjim dhe “flakje tutje” e kërkesave amerikane në lidhje me metodën e funksionimit të kryetarëve (me ‘k’ të vogël) do të prodhonte një eksplozion në publik mes dy kryeqyteteve. ShBA i quajti “masa të dhunshme” instalimet me forcë të kryetarëve si dhe përzgjodhi në emër të përvetshëm Albin Kurtin si përgjegjës parësor për “ngritjen e ashpër të tensioneve” në veri; për çka ky i fundit do t’ia vinte në pikëpyetje shëndoshësinë e gjykimit, përvojës dhe të kuptuarit, duke e quajtur “naiv dhe jo fer” në një media botërore si “The Guardian”. Çfarë pasoi më pastaj, ishte një mbërthim i plotë brenda dhe shpërthim i plotë jashtë – diskursiv dhe diplomatik. Para mëse një jave të dy – Kurti dhe Escobari – ishin në një linjë në emisionin e mëngjesit në radio të BBC Ëorld Service, por nuk bashkëbiseduan. Dhanë tablot e tyre për ngjarjet në veri – tablo krejtësisht të kundërta. “Përpjekjet tona për t’u bashkërenduar me Qeverinë e Kosovës u flakën tutje (Rebuffed)”, i tha Gabriel Escobar BBC-së, ku tregoi se “është për të ardhur keq” që pala kosovare “nuk dëgjoi” këshillat dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara.

Advertisement