Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kurti, mik-armiku i SHBA-ve/ Si u shndërrua në të tillë?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka arritur të pamundshmen në politikën amerikane: konsensusin mes demokratëve dhe republikanëve. Fatkeqësisht për Kurtin (dhe për vendin e tij), pika e marrëveshjes është që udhëheqësi i Kosovës është një politikan kokëfortë dhe, nganjëherë, i pamatur, që e ka minuar përpjekjen e përbashkët ShBA – Evropë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme për paqe mes Kosovës dhe Serbisë. Uashingtoni ia ka hedhur fajin drejtpërdrejt Kurtit për shpërthimin e dhunës rishtazi mes autoriteteve të Kosovës dhe komuniteteve me shumicë serbe në pjesën veriore të vendit dhe është përpjekur – deri më tani pa sukses – që ta kufizojë me kritika publike. Konflikti, i cili ka të bëjë me statusin e ardhshëm të zonave serbe në Kosovën veriore dhe me kërkesën e Prishtinës që Beogradi përfundimisht ta njohë sovranitetin e saj, ka dalë më tej jashtë kontrollit ditëve të fundit. Serbia ka arrestuar tri roja kufitare kosovare dhe Kosova e ka mbyllur pikëkalimin kryesor kufitar për kamionët serbë. Kritikët e Kurtit e akuzojnë atë për prodhimin e krizës përmes dërgimit të njësiteve paramilitare policore në komunitetet serbe dhe përdorimin e forcës në fund të majit për t’i vendosur kryetarët shqiptarë në rajon, pasi serbët i kishin bojkotuar zgjedhjet lokale.

Advertisement