Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Nuk presin më/ Serbët duan ta bëjnë vet Asociacionin

Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk mund të krijohet pa një dekret të Qeverisë së Kosovës, vlerësojnë Enver Hasani, profesor i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës dhe Dushan Janjiq nga Forumi për marrëdhënie etnike në Beograd. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 18 qershor, ka deklaruar se serbët në Kosovë do të marrin “vendime aktive” në periudhën e ardhshme, pa specifikuar se për çfarë bëhet fjalë. Ai ka theksuar se në kremten ortodokse Shën Vidi (Vidovdan) që shënohet më 28 qershor, serbët “në mënyrë paqësore, do të ndërmarrin hapat e tyre në rrugën drejt lirisë”. Më 17 qershor, e përditshmja serbe “Blic”, duke u thirrur në burime, ka raportuar se serbët në Kosovë do të nisin në mënyrë të pavarur të formojnë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas këtij mediumi serb, planifikohet që në të ardhmen të mbahet një kuvend i popullit serb në Kosovë, në të cilin do të shpallet Asociacioni dhe do të krijohen organet e tij. Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës që të japë një koment lidhur me deklaratat e Vuçiqit, si dhe për pretendimet në mediat serbe se më 28 qershor mund të shpallet njëanshëm formimi i Asociacionit. Por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka kthyer përgjigje. Në debatin e Këshillit të Atlantikut, i cili është mbajtur të martën në Uashington, është ngritur edhe pyetja lidhur me mundësinë që serbët e veriut të shpallin njëanshëm formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. I dërguri i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se veprimet e njëanshme janë burim i tensioneve.

Advertisement