Kosova
‘Lajçak shpesh i bën jehonë qëndrimeve të Vuçiçit’
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosoves, Donika Gërvalla, ka thënë për emisarin e Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, se shpesh ai mban pozicionin e Serbisë, madje sipas saj, “kjo e inkurajon presidentin serb Aleksandër Vuçic që të përshkallëzojë situaten.
Gjatë një interviste për Der Standard, Gërvalla ka deklaruar se situata në Veriun e Kosovës është shumë e rrezikshme, duke thënë se atje ka edhe trupa ruse të “Wagner”.
“Përshkallëzimi është rezultat i një strategjie të gabuar. I dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, shpesh mban qëndrimin e Vuçiqit. Kjo është vdekjeprurëse për ndërmjetësimin sepse e inkurajon Vuçiqin të përshkallëzohet. Situata është jashtëzakonisht e rrezikshme, madje ka edhe trupa Wagner në vend. Nevojitet urgjentisht strategji e re, duke përfshirë staf të ri, sepse nëse duam të ndalet përshkallëzimi”, ka thënë Gërvalla.
Më tutje, ajo ka deklaruar se qëllimi i Rusisë në Kosovë është destabilizimi, duke thënë se partnerët perëndimorë nuk duan të dëgjojnë për atë që Kosova iu thotë për ndikimin rus.
“Ne kemi paralajmëruar për një kohë të gjatë, por shumë partnerë perëndimorë, përfshirë Austrinë, nuk duan të dëgjojnë apo shohin. Të flasin, të japin këshilla, vetëm këtë duan. Fatkeqësisht, gjërat po shkojnë mirë për Kremlinin”, ka deklaruar ajo.
E pyetur për masat që Bashkimi Evropian ka paralajmëruar të marrë ndaj Kosovës për shkak se e akuzon për situatën në Veri, Gervalla thotë se ky është një gabim shumë i rëndë strategjik i BE-së.
“Ky është një gabim i rëndë strategjik. Kërcënimet kundër një demokracie kushtetuese aleate që mbron ligjin dhe përfaqësuesit e zgjedhur, kundër kriminelëve të dhunshëm që përdorin granata kundër ushtarëve të KFOR-it, janë një sinjal fatal” – deklaroi Gervalla