Kronike
8 vite mister në Vlorë/ Elvis Troqe shpallet zyrtarisht i zhdukur, ende asnjë përgjigje për fatin e tij
Tetë vite pas zhdukjes së Elvis Troqes në Vlorë, familja e tij vazhdon të mbetet pa përgjigjen më të rëndësishme: çfarë ndodhi me të pasditen e 17 korrikut 2018?
Sipas vendimit gjyqësor të raportuar së fundmi, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë ka shpallur zyrtarisht të zhdukur Elvis Troqen. Nëna e tij, Marsela Troqe, është caktuar kujdestare për administrimin e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme të të birit.
Procedura ishte nisur më herët nga vetë nëna. Kërkesa e saj për shpalljen e Elvis Troqes të zhdukur dhe caktimin e saj si kujdestare e pasurive rezulton e publikuar edhe në Fletoren Zyrtare.
Elvis Troqe, atëherë 24 vjeç, humbi çdo kontakt me familjen më 17 korrik 2018. Sipas të dhënave të bëra publike gjatë hetimeve, ai kishte dalë për të takuar një mik në një lokal në Vlorë. Pas pak minutash u largua nga tavolina duke thënë se do të takonte një person dhe do të kthehej.
Pamjet e publikuara në atë kohë tregonin Troqen duke hipur në një automjet “Mercedes-Benz” ngjyrë gri. Automjeti u largua dhe prej atij momenti gjurmët e tij humbën.
Hetimet e zhvilluara ndër vite ngritën dyshime se nuk bëhej fjalë për një largim vullnetar. Në materialet e bëra publike për çështjen është raportuar se Prokuroria e Vlorës kishte konstatuar elementë që lidhen me veprën penale të rrëmbimit të personit. Megjithatë, deri më sot nuk ka një version përfundimtar publik që të shpjegojë se çfarë ndodhi me të, ku përfundoi apo kush mund të mbajë përgjegjësi.
Vendimi civil për ta shpallur zyrtarisht të zhdukur zgjidh statusin juridik të tij dhe administrimin e pasurisë, por nuk zgjidh misterin penal të 17 korrikut 2018.
Tetë vite më vonë, pyetja mbetet e njëjtë:
Ku është Elvis Troqe dhe çfarë ndodhi pasi hipi në atë makinë?