Connect with us

Kosova

Thaçi thyen heshtjen për Gjykatën Speciale: Shmangëm Rusinë, sot po paguaj çmimin në lëkurën time

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka folur nga Haga për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke thënë se në atë kohë vendi ndodhej përballë dy alternativave të vështira.

Në një intervistë, Thaçi tha se Kosova duhej të zgjidhte mes krijimit të gjykatës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe mundësisë që një mekanizëm i tillë të themelohej përmes Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Kosova ishte midis dy zjarresh: të themelonte gjykatën bashkërisht me partnerët ndërkombëtarë, ose të lejonte formimin e saj nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së”, deklaroi Thaçi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës zgjodhën atë që e konsideruan “të keqen më të vogël”, me qëllim që Rusia dhe Kina të mos kishin rol në këtë proces.

“U përcaktuam për të keqen më të vogël për Kosovën. Kështu e evituam Rusinë dhe Kinën nga procesi; sikur të ndodhte e kundërta, do të ishte një kthim prapa për Kosovën në kuptimin legal, politik dhe historik”, u shpreh ai.

Thaçi, i cili po përballet me proces gjyqësor në Hagë, nuk dha detaje të tjera mbi rrethanat që paraprinë krijimin e Gjykatës Speciale, duke thënë se për këtë çështje nuk mund dhe nuk dëshiron të flasë.

“Për rrethanat thelbësore të ardhjes deri te formimi i kësaj gjykate dhe ecuria e mëpastajme, si një proces i gjatë dhe intrigues, nuk mund dhe nuk dua të flas”, tha Thaçi.

Ai shtoi se në atë kohë ishte i përkushtuar që nga vendimi i marrë të mos pësonte Kosova.

“Isha i zotuar nga ana ime të mos i ndodhte asgjë e keqe Kosovës. Tani jam duke paguar çmimin në lëkurën time. Por, kapërcen edhe kjo vështirësi”, deklaroi ish-presidenti i Kosovës.

Advertisement