Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Kosovë! Ose kushtet ose hap derën për sanksione

Në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së kishte ujdi, se Kosova dhe Serbia do të përballen me masa ndëshkuese nëse nuk shënojnë përparim në shtensionimin e situatës. Masat parashikohen të jenë politike e financiare. Kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, pas takimit të ministrave të Jashtëm në Luksemburg u shpreh të hënën, se vendet anëtare të BE-së do ishin të gatshme të ndërmerrnin masa si ndaj Kosovës edhe Serbisë nëse nuk shënohet përparim në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Borrell i informoi ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare për situatën në veri të Kosovës dhe bisedimet e ndara të javës së shkuar që kishte me kryeministrin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Vuҫiq. Bashkimi Evropian e ka mirëpritur lirimin e tre policëve të Kosovës, të cilët më 14 qershor u arrestuan nga policia e Serbisë dhe theksoi nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri. “Pajtohemi që zgjedhjet duhet të mbahen. Nuk mund të kemi kryetarë komunash në zyrat që mbrohen nga forcat e NATO-s përgjithmonë, duke u zgjedhur me 2 ose 3 për qind të votuesve. Kjo nuk është një zgjidhje e qëndrueshme. Pra, nëse nuk është e qëndrueshme, duhet të zëvendësohet me zgjidhje të tjera dhe zgjidhja tjetër mund të vijë vetëm nga zgjedhjet e reja dhe kjo është ajo që duhet të bëjnë të dyja palët. Zgjedhje me pjesëmarrjen e serbëve, përndryshe do të jetë e njëjta situatë si sot”, tha Josep Borrell. Javën e shkuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuҫiq ishin në Bruksel, por nuk u takuan me njëri tjetrin. Të dy zhvilluan takime ndarasi me ndërmjetësit evropianë, por nuk u shënua asnjë përparim në dialog, veç zotimit për ulje të tensioneve. Bashkimi Evropian i ka kërkesat e qarta: Nga Kosova kërkohet pezullimi i operacioneve policore në ndërtesat e komunave në veri dhe katër kryetarët e komunave përkohësisht duhet t’i kryejnë detyrat jashtë zyrave komunale. E nga Serbia ndërkaq kërkohet që të sigurojë që protestuesit të largohen nga ndërtesat e komunave njëkohësisht me largimin e policisë së Kosovës. Nëse nuk do të ketë përparim në këto pika, masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe Serbisë, “do të jenë politike dhe financiare”, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Advertisement