Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | I gjithë faji bie mbi BE-SHBA dhe Vuçiç – Shkrim nga Bodo Weber

Analisti gjerman, Bodo Weber, vazhdon ta konsiderojë të gabuar dhe të dështuar qasjen e ndërmjetësuesve europianë e amerikanë në dialogun Kosovë-Serbi e rrjedhimisht edhe produktin e këtij procesi – marrëveshjen e fundit të dakorduar në Bruksel dhe planin për zbatimin e saj që u arrit në Ohër. Weber ka fajësuar Berlinin, Parisin dhe administratën aktuale amerikane, e cila, sipas tij, kur është fjala për dialogun më shumë po shfaq vazhdimësi sesa të kundërtën e asaj që bënte Administrata e Trumpit. Ai thote se ka mbetur i habitur edhe me zhvillimet e fundit në Bruksel kur Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic të enjten e kaluar udhëtuan në Bruksel për një takim me qëllim shtensionimin e situatës në Veri. Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell, zhvilloi takime me ta, por nuk arriti të realizonte një takim të përbashkët. Mungesën e një takimi trepalësh, Weber e sheh si një tjetër dëshmi se çfarë rrëmuje të rëndë politike kanë krijuar BE dhe SHBA me politikën e tyre të dialogut. E teksa SHBA dhe BE po përpiqen të shtyjnë palët drejt një kompromisi që fillimisht do ta qetësonte gjendjen në Veri, paralelisht po i kërcënon me masa nëse nuk e pranojnë planin e deeskalimit të prezantuar nga Borrell. Duke komentuar masat e paralajmëruara ndaj Kosovës, Weber thotë se përgjegjësia imediate për përkeqësimin e situatës në Veri është e Albin Kurtit, por gabimi qëndron te qasja e gabuar në procesin negociator përfshirë zbutjen që po i bëhet Vuciçit të cilin Weber e quan autokrat-nacionalist.Analisti gjerman e sheh absurde situatën që dy palët kanë arritur marrëveshje në letër, ndërsa situata në terren vetëm ka eskaluar. Sipas tij, nuk ka një situatë të ngjashme në historinë e dialogëve dhe marrëveshjeve politike. Duke folur rreth pozicionimit të kryeministrit Kurti në këtë situatë, Weber thotë se pala kosovare ka mbetur më parimorja në negociata. Me këtë qasje, thotë Weber, Perëndimi vetëm sa ka ushqyer pikëpamjet ideologjike dogmatike të Kurtit, ka ushqyer kokëfortësinë e tij dhe ka prishur besueshmërinë e tyre në marrëdhëniet me Prishtinën. Për këtë arsye, diplomati gjerman thotë se është kaq e vështirë arritja e marrëveshjes për de-përshkallëzimin afatshkurtër, e lëre më ajo për zbatimin e marrëveshjes bazë. Sidoqoftë, Weber thotë se përgjegjësia kryesore politike dhe tani edhe ajo e sigurisë bie së pari mbi Bashkimin Europian dhe SHBA, së dyti mbi Vucic dhe së treti mbi Albin Kurtin.

Advertisement