Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | “Pengoni Kurtin”/ Lista Serbe i drejtohet Eulex

Vendimin e Qeverisë së Kosovës për të shpallur organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, Lista Serbe e ka vlerësuar si “pjesë të planit të regjimit të kryeministrit [të Kosovës] Albin Kurti për të vazhduar me terrorin politik në veri të Kosovës dhe arrestimin e serbëve. “Planet që dalin nga ky vendim tregojnë se në vend të shtensionimit në bazë të thirrjeve të gjithë bashkësisë ndërkombëtare dhe mbarë popullit serb, Kurti po planifikon përshkallëzim të mëtejmë, represion dhe konsolidim të pushtetit parapolicor dhe pushtues në veri të Kosovës”, u tha në njoftimin e Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë. Më 29 qershor, Qeveria e Kosovës shpalli “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut” organizata terroriste, duke argumentuar se këto organizata qëndrojnë pas trazirave në veri të Kosovës dhe se ato paraqesin “kërcënim serioz dhe të drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”. Lista Serbe edhe një herë u bëri thirrje misioneve të NATO-s dhe Bashkimit Evropian në Kosovë, KFOR-it dhe EULEX-it që të vendosin menjëherë forcat e tyre në veri të Kosovës në mënyrë që të “parandalojnë Kurtin që të realizojë planin e tij djallëzor dhe të rrezikojë paqen”. Autoritetet në Kosovë kanë sqaruar se vendimi për shpalljen e këtyre dy organizatave si terroriste nuk do të prekë askënd që mund të ketë kryer vepra penale para këtij vendimi. Sipas ligjit në Kosovë, kur organizatat shpallen terroriste, aktiviteti i tyre ndalohet menjëherë. Çdo aktivitet i mëtejmë i tyre do të bartte pasoja të rënda ligjore. “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriut” – organizata që veprojnë në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe – numërojnë qindra pjesëtarë të tyre nga radhët e komunitetit serb. Në mbledhjen e Qeverisë, kundër këtij vendimi ka votuar ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq. Ai ka argumentuar se ky vendim i ekzekutivit është i nxituar. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Kosova nuk është koordinuar me ta për këtë vendim, e as me partnerët e tjerë ndërkombëtarë. “Ky vendim do të duhej të koordinohej me partnerët më të ngushtë ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata të cilët kanë përgjegjësinë primare për të siguruar stabilitetin e Kosovës”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë. Që nga përfundimi i luftës më 1999, në Kosovë operojnë struktura ilegale, të mbështetura dhe financuara nga shteti i Serbisë.

Advertisement