Kosova
Rutte: Brengosemi për ngritjen e tensioneve Kosovë-Serbi
Kryeministri i Holandës, Mark Rutte tha se me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel kanë ardhur në Kosovë si miq që duan ta ndihmojnë shtetin e ri ballkanik.
Rutte tha se me Kurtin kanë folur për situatën në veri dhe ia kanë shprehur atij brengat për këtë çështje dhe e përmbendi stabilitetin rajonal si tepër të rëndësishëm, raporton Gazeta Express.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës e ka bërë këtë më të rëndësishme se kurrë më parë. Dhe këtu stabiliteti regjional është proces tejet i rëndësishëm dhe sot i kemi shprehur brengat tona për ngritjen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, duke shtuar se Holanda dhe Luksemburgu kërkojnë shtensionim. “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha ai.
“Përfshirja jonë në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi është më e afërt se kurrë mund të them”, tha ndër tjerash kryeministri holandez.
Rutte kujtoi se “Holanda dhe Luksemburgu ishin ndër vendet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.
Ai kujtoi gjithashtu se “Holanda është investitori i tretë më i madh në Kosovë”.