Connect with us

Shkrime

Kurti – Rama: Mospajtime politike apo inate personale

Përplasjet verbale mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama, kanë të bëjnë me çështje politike, por nuk përjashtohen as ato personale. Mospajtimet e dy liderve kulmuan më 6 korrik, kur Kurti refuzoi të takonte Ramën, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Prishtinë. Një ditë më herët, Kurti tha se me Ramën do të takohej vetëm në mbledhjen e qeverive të të dyja shteteve. Një mbledhje e tillë, e planifikuar të mbahej më 14 qershor, nuk u mbajt, pasi Rama kërkoi që t’i ndërrohej formati, për shkak të tensioneve në veri të Kosovës.

Situata e sigurisë në këtë zonë të banuar me shumicë serbe u përkeqësua qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave atje hynë në zyrat e tyre, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë, teksa dhe Kurti nuk i përfilli kërkesat e komunitetit ndërkombëtar për tërheqjen e këtyre kryetarëve dhe organizimin e zgjedhjeve të reja.

Mbledhja “nuk mund të mbahet në formatin e paraparë” dhe “nuk është momenti për të krijuar një pasqyrë të rreme të asaj që, në fakt, ndodh në realitetin e Kosovës sot” – tha Rama muajin e kaluar.

Në një intervistë më 6 korrik, Rama tha se ka insistuar të takohej me Kurtin përpara mbledhjes së planifikuar të qeverive, “për t’ia përcjellë disa shqetësime”, porse kjo nuk ka ndodhur, kurse sipas Kurtit, mbledhja e dy qeverive u anulua pa arsye

Sipas analistëve, përplasjet Kurti-Rama ndodhin për arsye objektive dhe subjektive. Rama, duke i përdorur faktorët objektivë, në emër të të cilëve ai flet, po synon si shtesë një protagonizëm që, objektivisht, përveçse e delegjitimon Kurtin si pushtet, i fryn edhe idesë së Kosovës si një shtet i dështuar…

Sipas tyre, kjo lidhet me raportin rajonal të forcave, si dhe me rolin dhe pozitën e Shqipërisë, si anëtare e NATO-s dhe si shtet i integruar në bashkësinë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, thotë ata, Rama po përpiqet të luajë rolin e një “hegjemoni” rajonal.

Analistet shprehen se Rama, po përpiqet të ndërmjetësojë mes palës shqiptare dhe asaj serbe, por edhe të paraqitet si “një gjysmëzëdhënësi i bashkësisë ndërkombëtare, apo së paku i strukturave të sigurisë ndërkombëtare”.

Aspekti subjektiv, që ka acaruar marrëdhëniet mes dy kryeministrave, sipas tyre, është “takti me të cilin Rama i është qasur Kosovës, jo vetëm tani, por edhe më herët. Janë disa veprime të Ramës që janë perceptuar si të dëmshme nga Qeveria e Kosovës – nisur nga mbështetja e tij për idenë e ndryshimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, përpjekja për ta bindur Kosovën që t’i bashkohej nismës Ballkani i Hapur e deri te paraqitja e një draft-propozimi për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Analsitet shprehen se “Këto kanë lënë shije të keqe, sepse Rama është parë si një lloj ‘pyke’, e cila është pjesë e një pabesie më të madhe. Kështu është perceptimi i Qeverisë aktuale, i Qeverisë së Kurtit”

 

Advertisement