Connect with us

Kosova

Dhuna mes deputetëve, Prokuroria nis hetimet për ngjarjen në Kuvend

Prokurori i Shtetit ka nisur hetime për veprën penale “Sulmi”, lidhur me incidentin e ndodhur gjatë ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës. Organi i akuzës gjithashtu ka autorizuar Policinë në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, përfshirë po ashtu marrjen e deklaratave të palëve të përfshira në këtë rast.

“Prokuroria në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës, do t’i ndërmerr të gjitha veprimet konform dispozitave ligjore të KPPRK-së, deri në sqarimin e plotë të çështjes në fjalë”, thuhet në njoftim.

Deputetët opozitarë ndërprenë fjalimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së sotme plenare. Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku hodhi ujë në drejtim të Kurtit dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimi. Kjo u pasua me përleshje fizike mes deputetëve të PDK-së dhe anëtarëve të Qeverisë Kurti. Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), i cilësoi deputetët e PDK-së “si një bandë rrugaçësh” dhe shtoi se ky sulm erdhi si veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë: disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues.

Advertisement