Connect with us

Aktualitet

EDITORIAL | Në Kosovë po punohet për ta rrëzuar Albin Kurtin/ Shkëlzen Maliqi bën analizën

Analisti politik, Shkëlzen Maliqi beson se kryeministri I Kosovës Albin Kurti nuk ka dashur të hyjë fare në dialog me Serbinë dhe këtë e sheh si motiv të mosmarrëveshjeve të tij me ndërkombëtarët. Në një intervistë, Maliqi tha se nuk mund të parashikojë se çfarë fundi do të kenë marrëdhëniet e Kurtit me Perëndimin, por thotë se në Kosovë ka indikacione për një përpjekje për ta rrëzuar Qeverinë. “Nuk mund t’i përgjigjem me siguri kësaj pyetjeje, por ka një mobilizim të madh në opozitë, në opinion dhe në disa media për ta korrigjuar politikën aktuale të qeverisë. Ka indikacione se opozita në Kuvendin e Kosovës do të mund ta mbledhë një lloj mazhorance dhe të tentojë ta rrëzojë qeverinë. Nuk e di nëse do të funksionojë, por është duke u punuar për këtë”, tha Maliqi. Ai thotë gjithashtu se “Kurti ka opozitë serioze si në lëvizjen e tij ashtu edhe në mesin e aleatëve” dhe për rrugën e dialogut, Maliqi thotë se kusht i të gjitha kushteve është Asociacioni i komunave me shumicë serbe. “Ka kundërshtime parimore nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila thote se Asociacioni në asnjë rast nuk mund të jetë niveli i tretë i qeverisjes, gjë që nuk e parasheh Kushtetuta e Kosovës dhe kjo duhet të merret parasysh. Duket se tashmë ka disa propozime se si duhet të duket Asociacioni”, tha Maliqi duke shtuar se ndërkombëtarët kanë shqyrtuar disa rrugë politike për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. “Një skenar ishte krijimi i një lloj mini-protektorati në veri të Kosovës, që KFOR-i ta merrte të gjithë pushtetin, gjë që është shumë e rrezikshme dhe e kushtueshme. Perëndimi nuk do të dëshirojë ta krijojë një mini-protektorat këtu në një kohë kur është shumë i zënë me Ukrainën. Një propozim tjetër eshte që të krijohej një lloj Dejtoni ose Rambujeje, të mbylleshin negociatorët për 10 ditë… Por as për këtë nuk ka patur mbështetje”, theksoi Maliqi dhe sipas te cilit, Perëndimi, duke dashur ta distancojë Serbinë nga Moska, “duhet te ndjek një politikë më të butë ndaj Beogradit”, por shton se kjo nuk i përjashton paralajmërimet serioze për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si artikujt në New York Times. “Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, shpesh flirton dhe mbështet Serbinë. Kjo është mënyra se si drejtohet politika perëndimore. Në këtë kontekst ata janë të zemëruar me pushtetin në Kosovë. Ata u thonë – mos na shqetësoni në këtë punë. Sepse ajo që bën Kurti në fakt e ndihmon Vuçiqin. Mendoj se Amerika tani po e korrigjon pak politikën e saj, se do të ketë një lloj ndëshkimi edhe për Serbinë për nxitjen e tensioneve të vazhdueshme në Kosovë dhe kërcënimin e një konflikti”, tha Shkelzen Maliqi

Advertisement