Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Dritan Goxhaj, i arrestuar për “Gjyq Politik”?

Dritan Goxhaj është emri i radhës, ish-luftëtar i UÇK-së që u arrestua nga Gjykata Speciale. Por ky, sikur Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, nuk dyshohet për krime lufte, por për pengim të drejtësisë dhe pengim të personave në kryerjen e detyrave zyrtare. Shumë detaje ende nuk dihen, megjithatë gjithçka mund të ndërlidhet me disa shkrime të Goxhajt ku ky i fundit nxirrte emra të dëshmitarëve në procesin ndaj Salih Mustafës. Aty e kishte përmendur edhe Nazlie Balën, këshilltaren e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Dritan Goxhaj është djali i ish-zv.shefit të Shtabit të UÇK dhe kolonelit të njohur nga Shqipëria, Dilaver Goxhaj. Kolonel Goxhaj iu bashkua vullnetarisht luftës në Kosovë, ku si një ushtarak me eksperiencë ndihmoi në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës së Kosovës, edhe i biri Dritan Goxhaj iu bashkua UÇK-së si oficer i Ushtrisë Shqiptare në shkollën e Aviacionit dhe ka pasur autorizimin e Shtabit të Përgjithshëm që të mbante kontakte me komandën e forcave amerikane në Shqipëri. Në një njoftim për media, Specialja ka thënë se arrestimi ka ndodhur në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. “Më 31 korrik 2023, autoritetet shqiptare arrestuan Dritan Goxhaj në Tiranë. DhSK kërkoi bashkëpunimin dhe ndihmën e autoriteteve shqiptare për arrestimin e z. Goxhaj dhe dorëzimin e tij në KSK, në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga një gjyqtar i DhSK-së në lidhje me veprat kundër administrimit të drejtësisë që përfshijnë frikësimin dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare. Goxhaj do të mbahet në Shqipëri, në pritje të një vendimi nga autoritetet shqiptare për transferimin e Goxhaj në ambientet e paraburgimit të DhSK në Hagë”, ka thënë Anglea Griep, shefe për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara të Kosovës

Advertisement