Connect with us

Aktualitet

SPECIALE | Nga zgjedhjet tek asociacioni/ Hovenier flet “pa doreza”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se presin nga Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe të vendosë kuadrin ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore. Po ashtu, Hovenier ka nënvizuar edhe kërkesat që u janë dhënë udhëheqësve të Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e reja në veri, gjatë qëndrimit të tyre në Uashington javën e kaluar. Krahas këtyre, Hovenier ripërsëriti kërkesat për depërshkallëzim të plotë të situatës në veri dhe zbatimin e marrëveshjes së Ohrit. “Jam i sigurt se liderët e Listës Serbe kanë dëgjuar, sepse kam pasur biseda me Escobarin, pritshmëritë e Shteteve të Bashkuara që serbët e Kosovës, përfshirë Listën Serbe, do të marrin pjesë në zgjedhjet e reja komunale kur të caktohen, kjo është pjesë e përgjegjësive të partive demokratike në demokraci, ju merrni pjesë në procesin demokratik gjë që është pritshmëria jonë, kjo është kërkesa jonë. Ne kërkojmë që Qeveria e Kosovës të përmbushë zotimet e saj dhe kjo ishte pjesë e asaj që u diskutua edhe në Uashington, të vendoset kuadri ligjor për të lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja për katër komunat veriore dhe kjo sigurisht ishte pjesë e bisedës që ndodhi gjithashtu”, tha ai. Ai tha se zbatimi i marrëveshjes së Ohrit është rruga e vetme përpara, andaj kërkoi angazhim nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin veprime që iu ndihmon dy vendeve në rrugën e tyre drejt integrimit në institucionet evropiane. “Ne mendojmë se është e rëndësishme të arrihet një de-përshkallëzim i mëtejshëm i situatës në veri, të shmangen rrethanat kur ka pika ndezjeje ose kërcënime dhune që pengojnë gjënë e dytë. Gjëja e dytë që duam të shohim janë përpjekjet e ripërtërira si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia për të arritur zbatimin e plotë të marrëveshjes së arritur në Ohër. Kjo është rruga përpara. Kjo është ajo që e ndihmon Kosovën të përparojë në rrugën e saj drejt integrimit të plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike dhe të ri pozicionojë marrëdhëniet mes këtyre dy vendeve”, tha ai.

Advertisement