Connect with us

Politike

Incenerator/ Video e Zotos dhe Mërtirit: O po do pijmë e do bëjmë qejf

Ish-deputeti i PD-së dhe ish-kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka publikuar ditën e sotme një video ku shfaqen pronarët “de facto” të inceneratorëve, sipas SPAK, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Ata shfaqen në ambientet e një autobusi, duke u argëtuar me njëri-tjetrin, teksa në sfond dëgjohet kënga “Do pijmë e do bëjmë qejf”, e grupit të këngëtarëve nga Fieri “Free MC’s”.

Krahas videos së publikuar në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se “ja se si dy zemrat, dy shokët e Veliajt dhe dy të panjohurit e Ramës, të cilëve pa i njohur hiç, ai u firmoste bonusin 8% fap e fap (Zoto e Mërtiri), festonin vjedhjen e 80.000 eurove në ditë tek Inceneratori i Tiranës”.

Më tej, ish-deputeti demokrat paralajmëron se në ditët në vijim do të publikojë plot fakte të reja dhe sipas tij, ata që menduan dhe sponsorizuan fort që afera e shekullit të mbyllej me arratinë e Ahmetajt, e kanë shumë gabim. Këlliçi shprehet se pronarët e vërtetë të inceneratorit të Tiranës janë Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Postimi i plotë

“Ja se si dy zemrat, dy shokët e Veliajt dhe dy të panjohurit e Ramës, të cilëve pa i njohur hiç, ai u firmoste bonusin 8% fap e fap (Zoto e Mërtiri), festonin vjedhjen e 80.000 eurove në ditë tek Inceneratori i Tiranës.

Për të gjithë ata që menduan dhe sponsorizuan fort që afera e shekullit të mbyllej me arratinë e Ahmetajt, i garantoj që e kanë shumë gabim!

Aferës së inceneratorëve do i shkohet deri në fund e mbi të gjitha, inceneratorit të Tiranës do t’i dalin pronarët e vërtetë, që tashmë të gjithë e dinë që janë Erion Veliaj dhe Edi Rama.

Veliaj me të vërtetë rrëmbeu me paratë e korrupsionit mandatin e 3 në krye të Bashkisë Tiranë, por gjurmët që ka lënë nuk i fshin dot as koha dhe as presioni i tij ndaj drejtësisë. Do ta çojmë përpara këtë çështje, dhe në ditët në vijim do të sjellim për publikun plot fakte të reja.” – shkruan Këlliçi.

Vlen të theksohet fakti se, pas sekuestrimit të inceneratorit të Tiranës, në media u raportua se Belind Këlliçi ka ngritur një grup ekspertësh për të rilexuar, hetuar, verifikuar çdo fakt në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe do të mundohet për zbardhjen e të vërtetës së saj. Siç duket, ai ka nisur nga puna me publikimin e videos së sotme.

Advertisement