Shkrime
Gojëshqyerve, një grusht çimento në gojë. Për të ardhmen…
Nga Martin Leka
Edi Rama është Kryeministër i Shqipërisë. Legjitim.
Për njëmijë e një arësye, dikush mund të mos e pëlqejë. Të mos e dojë. Mund të mos e pëlqejë nga pamja. Nga gjatësia. Nga stili i mjekrës apo veshja. Nga mënyra si flet. Nga gjestikulacionet. Nga ekstravaganda. Nga kravatat psh. Apo nga atletet. Kot. Nuk e pëlqen dhe pikë!
Të tjerë mund të mos e pëlqejnë si qeveris. Si ndërton administratën. Si të zgjedhurit e tij korruptohen. Si ata janë arrogantë. Si ministrat i shkojnë në burg. Të mos e pëlqejnë për ekonominë. Për arsimin. Për shëndetësinë. Për rrugët. Për bujqit. Për strehimin. Për kullat. Për hapësirat publike. Për mjedisin. Edhe për kanalet kulluese po deshe.
Po kaq legjitime është edhe që të tjerë ta pëlqejnë kryeministrin për fiks të njëjtat arësye. Këtu pastaj fillon partitizmi, militantizmi. Pa u futur fare në analizën apo thelbin e trajtimit të problemeve, ngjarjeve. Eshtë dueli tridhjetë e ca vjeçar mes të djathtëve e të majtëvë(?), mes PD e PS.
Shkurt, Edi Ramën hiç mos e duaj. Ti i foltores. Ti i PD-së. Edhe ti i PS-së po deshe. Dauj dhe pëlqe Sali Berishën. Puna jote!
Po Shqipërisë si t’ja bëjmë?!
Të mos e duam prej Edi Ramës?
Apo ta duam edhe prej Edi Ramës?
Sivjet, vendi ynë pësoi një boom turistik. Miliona turistë kanë zbarkuar nga jugu në veri të vendit. Kanë ardhur mes tyre edhe figura të njohura botërore, të cilat janë një aset i pazëvendësueshëm PR-i.
Dua Lipa psh, për revistën më të madhe të modës në botë, “Vogue”, klasifikon bregdetin shqiptar si vendin e parë për të kaluar pushimet.
“Unë do të shkoja pa asnjë problem t’i bëja pushimet në Shqipëri. Atje ka një det shumë të bukur. Shqipëria është pak a shumë si Italia 10-20 vite më parë, Rimini, Riçione, mikpritje e jashtëzakonshme. Nuk kam asnjë problem t’i bëj pushimet në Shqipëri” – tha për emisionin “Zona Bianca” në Rete-4 miliarderi Flavio Briatore, ish-bossi i Formula-1, para disa ditësh.
Kjo sigurisht është një reklamë e madhe për ne, për Shqipërinë. Lexova më pas një reagim tipik shqiptar. Jo nga një njeri i zakonshëm. Jo nga një rrugaç. Jo nga një drogaxhi. Jo nga një tregtar ambulant. As shitës farash. As pjekës misrash të njomë në trotuar. As horr. Por nga një deputet dhe profesor më duket.
Deputeti i foltores, nga urrejtja për Edi Ramën, i shkruan Briatores në një status në FB, duke ja bërë Shqipërinë “sterrë, të papastër, një vend ku të vrasin, të presin me thikë, të marrin peng”…
Pas kësaj, çdo përpjekje për arësyetim, është e kotë.
Për gojëshqyerit që shajnë e mallkojnë Shqipërinë, dermani është “një grusht çimento në gojë”. Për të ardhmen!