Bota
SHBA-ja me gati 100,000 raste të reja me koronavirus
Rastet e infektimit me koronavirus vazhduan të shënojnë rritje në Shtetet e Bashkuara.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 99,660 raste të reja u konfirmuan të mërkurën – shifër kjo rekorde brenda një dite.
Në spitalet e SHBA-së aktualisht janë të shtrirë mbi 50,000 pacientë me koronavirus.
Shifra paraqet rritje për rreth 64% nga fillimi i tetorit.
Shkalla mesatare e viktimave ditore gjithashtu është rritur, megjithëse mbetet më e ulët sesa në fillimet e pandemisë, në muajin mars.
SHBA-ja “nuk mund të ishte pozicionuar më dobët”, me mot të ftohtë që i shtyn njerëzit të qëndrojnë brenda, tha drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Infektive, Anthony Fauci, në një intervistë për gazetën Washington Post.
Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.
Numri i përgjithshëm i të infektuarve atje është afër 9.5 milionë, ndërsa i viktimave ka kaluar 233,000.