Kosova
Vuçiçi e ndihmoi Kurtin/ Janjiç: Tani është gati t’i bëjë çfarëdo lëshimi
Drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiç, tha se Serbia është gati të bëjë lëshime ndaj Kosovës në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, teksa komentoi rrjedhën e tensioneve në raportet Kosovë-Serbi pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në veri të Kosovës. Kur komentoi thirrjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, drejtuar serbëve të Kosovës që sa më shpejt të nisin inciativën për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok – vlerësoi se kjo lëvizje shkon në favor të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti e në dëm të serbëve në Kosovë. “Vuçiçi legalizoi dhe inkurajoi Kurtin për të vazhduar politikën e tij në veri të Kosovës; nga fakti se ai mori një pjesë të përgjegjësisë për situatën e keqe politike dhe të sigurisë në veri”, potencoi Janjic, dhe shtoi se qëllimi i presidentit serb tash është shpërqëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare nga procesi gjyqësor kundër Milan Radojiçiçit, përgjegjësit për sulmin terrorist të 24 shtatorit. Janjiçi gjithashtu vlerësoi se Kurti është “politikan i fshirë” nga lista e pritshmerive në Bruksel për shkak të ngjarjeve të fundit në pjesën veriore të Kosovës të banuar kryesisht me serbë etnikë dhe se presidenti serb “nuk është dashur t’a ndihmojë” lidhur me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës. “Kur Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell e dëboi Kurtin nga zyra e tij, pasi ky i fundit i kërkoi zëvendësimin e Emisarit Special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ia fshinë emrin në Bruksel. Vuçiçi është dashur të dijë këtë dhe të mos e ndihmojë me këtë çështjen e zgjedhjeve”, ka vlerësuar Janjiçi. Eskalimi në shkallë të gjerë i situatës në veriun e trazuar të Kosovës ka ndikuar substancialisht në bllokimin e ecurisë së procesit të dialogut që po i mbanë të zënë diplomatët perëndimorë përgjatë kësaj kohe, megjithëse BE-ja pret nga palët që të rikthehen në tryezën e negociatave nën kujdesin e lehtësuesve evropianë në Bruksel.