Connect with us

Bota

Analiza/ Çfarë do të ndodhë me Gazën pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit?

Ndërsa trupat izraelite përparojnë në qendër të qytetit të Gazës, ka pikëpyetje në rritje mbi të ardhmen e territorit palestinez pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe militantëve të Hamasit. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridwell, Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do të mbështesin një tjetër pushtim të Gazës, rreth 18 vjet pas tërheqjes së banorëve izraelitë dhe forcave ushtarake nga enklava.

Çfarë do të ndodhë me Gazën pas përfundimit të luftës mes Izraelit dhe Hamasit? Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i tha këtë javë kanalit televiziv ABC se për një periudhë të pacaktuar Izraeli do të mbajë përgjegjësitë për sigurinë e territorit.
Pas një takimi dy-ditor të kryediplomatëve të shtatë vendeve më të industrializuara të botës në Tokjo, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të mërkurën se Hamasi duhet të mposhtet, por gjithashtu kishte edhe një mesazh për Izraelin.

“Është gjithashtu e qartë se Izraeli nuk mund ta pushtojë Gazën. Realiteti është se mund të ketë nevojë për një periudhë tranzicioni në fund të konfliktit, por është e domosdoshme që populli palestinez të marrë qeverisjen në Gaza dhe në Bregun Perëndimor, që mos të kemi një pushtim tjetër”.
Izraeli dhe mbështetësit e tij perëndimorë duhet të kenë një plan për Gazën pas konfliktit, thotë për Zërin e Amerikës analisti Yossi Mekelberg.

“Çfarë ndodh nëse Hamasi zhduket si fuqi politike dhe ushtarake? Kush mund ta zërë vendin e lënë bosh? Mund të jetë edhe më i keq se Hamasi. Duhet të ketë në një periudhë të ndërmjetme dhe është shumë e rëndësishme përfshirja e një elementi rajonal”. Zoti Mekelberg thotë se lidhjet SHBA-Izrael mbeten të forta, por ka mosmarrëveshje.

“Ata nuk i besojnë Netanyahut dhe qeverisë aktuale. E dinë se një çek bosh i tepruar mund të jetë e rrezikshme”.

Vetëm në deklaratën e dytë të përbashkët që nga sulmi i 7 tetorit, ministrat e jashtëm të G7 e dënuan Hamasin dhe kërkuan lirimin e pengjeve, duke bërë thirrje për pauza në konflikt për lejimin e ndihmës humanitare në Gaza.

“Është e rëndësishme që G7 ishte në gjendje të nxirrte mesazhin e parë të unifikuar në një deklaratë me shkrim në lidhje me marrëveshjen [për pauzat humanitare në Gaza]”, tha Yoko Kamikawa, Ministre e Jashtme e Japonisë.

G7 nuk bëri thirrje për një armëpushim më të përhershëm. Në të gjithë botën ka pasur protesta me thirrjet për t’i dhënë fund luftës. Ekziston rreziku që konflikti të thellojë ndarjet globale, sipas analistit Mekelberg.

“Është shumë e ndërlikuar sepse G7 përfaqëson padyshim pjesën më të pasur të botës, ndaj së cilës është drejtuar pjesa më e madhe e pakënaqësive për neglizhim dhe qasje që mbron interesat e veta, por jo interesat e pjesës tjetër të botës. Sepse neglizhimi i konfliktit izraelito-palestinez ishte kriminal”. Ndërkohë, G7 përsëriti mbështetjen për Ukrainën ndërsa ai vend vazhdon të luftojë agresionin rus. Grupi dënoi gjithashtu testet e Koresë së Veriut me raketa dhe furnizimin e Moskës me armë.

Advertisement