Bota
BE mbështet Shqipërinë edhe me 30 respiratorë/ Rakacolli: Të mbajmë maskën që të mos vendosim këto aparate
Vijon mbështetja e Bashkimit Europian për Shqipërinë për forcimin e kapaciteteve spitalore.
Sot u zhvillua ceremonia e dorëzimit të 30 respiratorëve, pjesë e mbështetjes së BE prej 4 milionë euro për shëndetësinë, ku morën pjesë ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca, zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli dhe përfaqësues të OKB në Shqipëri.
Duke deklaruar se po merren të gjitha masat për forcimin e kapaciteteve spitalore, Rakacolli kërkoi mbështetjen e qytetarëve për të respektuar masat e vendosura, dhe për të shmangur rritjen e rasteve në spitale.
“Virusi nuk është vetëm betejë shëndetësore. Gjeja më e rëndësishme mbetet parandalimi sa kohë që nuk ka një vaksinë, apo një trajtim mjekësor. Kam një thirrje për publikun që të vazhdojë të përdorë maskën, të ruajë distancën, të ruajë me përkushtim higjienën që rastet në spitale të mos jenë të mëdha dhe këto aparate kaq të nevojshme të mos i përdorim. Të mbajmë maskën, që të mos vendosim maskën e këtyre aparateve”, tha Rakacolli në fjalën e saj.
Kjo mbështetje me 30 respiratorë të rinj është pjesë e mbështetjes së BE për Shqipërinë me vlerë 4 milionë euro për blerjen e pajisjeve mjekësore, që i shtohen kapaciteteve spitalore për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19.
atsh/