Connect with us

Politike

Ballkani është në luftë edhe kundër fushatës dezinformuese të Rusisë

Nuk është sekret se Rusia ka kohë që po udhëheq një fushatë kundër kombeve të vogla ballkanike dhe shteteve perëndimore, në mënyrë që të zgjerojë fushëveprimin dhe të shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, por edhe të krijojë kushte që në pushtet të vijnë forcat pro-ruse dhe të provokojë trazira që do të prodhonin destabilizimin e rajonit në të ardhmen.

Në një raport të fondacionit “Humanity for Freedom” të publikuar rishtas, janë spikatur praktikat e Rusisë në përpjekjet e saj për influencë globale, duke marrë forma të ndryshme, prej rekrutimit të liderëve dhe partive politike nacionaliste, deri në depërtimin dixhital për përhapjen e diskursit publik kundër insitucioneve demokratike dhe bashkësisë perëndimore.

Ky raport, nëpërmjet shqyrtimit të gjendjes aktuale në terren, ka synuar të hedhë dritë mbi shtrirjen dhe ndikimin e fushatave dezinformuese ruse në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke ofruar njëkohësisht zgjidhje të zbatueshme për të garantuar mbrojtjen e institucioneve demokratike, sigurinë kombëtare dhe rajonale, veçanërisht pas agresionit rus në Ukrainë.

Shembuj të dezinformatave ruse mund të gjenden në vende të ndryshme, posaçërisht në Bullgari, Kosovë, Serbi dhe Maqedoni të Veriut.

Në Serbi, shteti rus ka promovuar fushata dezinformuese që synojnë forcimin e lidhjeve tradicionale midis dy vendeve, duke e pozicionuar Rusinë si mbrojtëse të besimit të krishterë ortodoks dhe duke diskredituar BE-në dhe NATO-n, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, dezinformimi rus ka kontribuar në paqëndrueshmërinë politike dhe sociale, duke shfrytëzuar tensionet etnike.

 

Advertisement