✦
Thinking ...
Connect with us

Kosova

Stradner: Vendimi i OSBE-së për Serbinë dërgon mesazhin e gabuar

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) ka gabuar që ka miratuar kandidaturën e Serbisë për të organizuar sesionin vjetor të Asamblesë Parlamentare në Beograd në vitin 2027. Kështu vlerëson analistja Ivana Stradner në një artikull editorial, ku argumenton se ky vendim përbën një shpërblim për regresin demokratik të Serbisë dhe afrimin e saj gjithnjë e më të madh me regjimet autoritare.

Sipas Stradnerit, presidenti serb Aleksandar Vuçiç po përballet me sfidën më të madhe politike që nga ardhja në pushtet, për shkak të protestave disamujore të studentëve, të cilat shpërthyen pas shembjes së një strehe betoni në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Nga tragjedia humbën jetën 16 persona, ndërsa protestuesit e lidhin ngjarjen me korrupsionin dhe kërkojnë përgjegjësi nga institucionet shtetërore.

Analistja thekson se, në vend që Perëndimi të rrisë presionin ndaj Beogradit për të avancuar reformat demokratike, i ka dhënë presidentit Vuçiç mbështetje politike duke pranuar kandidaturën e Serbisë për të pritur sesionin e OSBE-së.

Në editorialin e saj, Stradner argumenton gjithashtu se Serbia vazhdon të ndikojë në paqëndrueshmërinë e Ballkanit Perëndimor, si përmes marrëdhënieve me Kosovën, ashtu edhe përmes mbështetjes ndaj presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik. Sipas saj, retorika e Dodikut për një shkëputje të mundshme minon stabilitetin e Bosnjë dhe Hercegovinës.

Po ashtu, ajo pretendon se Beogradi është përpjekur të pengojë dhe ngadalësojë procesin e integrimit evropian të Malit të Zi.

 

Advertisement