Kosova
SHBA humb durimin me Kosovën, kërkon fundin e ngërçit politik
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u ka bërë thirrje liderëve politikë në Kosovë që procesi i krijimit të institucioneve të reja të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në një reagim publik, ambasada amerikane theksoi nevojën për bashkëpunim politik dhe për përparësi ndaj stabilitetit dhe funksionimit institucional, duke paralajmëruar për pasojat e zgjatjes së ngërçit politik.
Reagimi i SHBA-së vjen pas seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, e cila nuk arriti të përmbyllej me konstituimin e plotë të institucionit. Gjatë seancës, kryeministri në detyrë Albin Kurti kërkoi kohë shtesë për bisedime lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit.
Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon më 7 gusht në orën 23:59.
Kurti ka deklaruar se nevojitet më shumë kohë për arritjen e një dakordësie politike, duke lidhur konstituimin e institucioneve me përfundimin e bisedimeve për çështjen e presidentit.
Ambasada amerikane ka vlerësuar se qytetarët e Kosovës presin nga udhëheqësit politikë që të veprojnë në interes të vendit dhe të shmangin zgjatjen e mëtejshme të bllokadës institucionale.