Kosova
Instituti amerikan zbërthen në detaje planet, përmend Kosovën dhe Serbinë
Ndikimi i Rusisë në Ballkan, ka qenë një nga kryetemat e ditëve të fundit. Për këtë, Instituti amerikan “RANE” që merret me çështjet të sigurisë dhe rreziqeve anembanë botës, i kushtoi një analizë të hollësishme kërcënimit rus të sigurisë në veri të Kosovës përmes ndikimit që ushtron në shtresat politike, ekonomike dhe shoqërore në Serbi.
“RANE” thotë se Rusia e ka në rend të parë shfrytëzimin e tensioneve fetare dhe etnike për të pamundësuar normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe rrugën konsekuente evropiane të tyre.
“Për të ngurtësuar mbështetjen në Serbi, Rusia ka synuar të pozicionojë veten si kampionia e kauzës së Serbisë, duke ushqyer narrativat që theksojnë përpjekjet e Moskës për të mbrojtur pretendimet e Serbisë ndaj Kosovës në skenën ndërkombëtare” – thuhet në artikull.
Megjithatë, instituti amerikan, nuk ka asnjë dilemë që “kampionizimi i këtyre interesave serbe nga Rusia” bëhet vetëm për shkak se kjo e fundit dëshiron të justifikojë qellimet e veta territoriale mbi vendet tjera.
“Mbajtja e Serbisë dhe Kosovës në mosmarrëveshje gjithashtu ndihmon në vonimin e normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Për më tepër, propaganda ruse është krijuar për të nxitur shpërthime të përgjakshme në Ballkan dhe frikën e një shpërthimi më të gjerë rajonal të dhunës.Një krizë në Ballkan do të kontribuonte në rritjen e problemeve për Bashkimin Evropian” – shkruhet në analizë.
Duke cituar një sondazh të “Open Society Foundation” të kryer në muajin shtator, thuhet se “51% e serbëve besojnë se Rusia është partneri më i rëndësishëm ndërkombëtar i Serbisë…ndërsa 66% e tyre kanë thënë se Rusia është ‘mikja më e mirë’ e Serbisë”.
“RANE” madje shkruan se edhe më shumë se në vetë Serbinë, përpjekjet ruse në veri të Kosovës janë shumë më të koncentruara.
“Mbështetja ruse e pretendimit serb për Kosovën mund të ketë më shumë rëndësi në mesin e serbëve kosovarë të cilët ndihen të tjetërsuar nga lidershipi serb dhe të izoluar nën një qeveri etnikisht shqiptare dhe popullatë shumicë. Aty aktorët rusë po përfitojnë nga një situatë tashmë e brishtë me shpresën për të ndezur pasiguri” – thuhet në artikull.
Në lidhje me zgjedhjet parlamentare serbe të 17 dhjetorit, instituti amerikan paralajmëroi se do të jetë mundësi për Rusinë që të mbështesë Aleksandër Vuçiçin dhe partnerët e tij të cilët janë në vijë me interesat ruse.