Connect with us

Sport

Gjimshiti shtyllë e ekipit, Atalanta përmbys Milanin, e eliminon nga Kupa e Italisë

Milani është jashtë Kupës së Italisë. Kuqezinjtë e Stefano Piolit humbën 1-2 në shtëpi kundër Atalantës, në ndeshjen çerekfinale të këtij eventi. Dueli në “San Siro” ishte me raste, gola, kartona dhe përmbysje, ndërsa paraqitje të mirë për Atalantën zhvilloi edhe Berat Gjimshiti, kapiteni i Kombëtares.

Ndeshja nisi keq për miqtë e Atalantës, që pas minutës së 38-të e panë veten pa trajnerin Gasperini, i cili u ndëshkua me karton të kuq. Në të 45 minutë ishte Leao që zhbllokoi ndeshjen, teksa avantazhi i Milanit zgjati vetëm dy minuta, pasi Koopmeiners i dërgoi skuadrat në dhomat e zhveshjes në ekuilibrin 1-1.

Në pjesën e dytë ishte sërish Koopmeiners që me dopietën e tij i dha fitoren Atalantës. Në sekondat e fundit të duelit, Milani pretendoi për një penallti pas prekjes së topit me dorë në zonë, por kryesori Di Bello edhe pas ndërhyrjes së VAR mbylli ndeshjen duke e cilësuar gjithçka si të rregullt.

Kësisoj, Milani është jashtë Kupës së Italisë, jashtë Champions League dhe larg nga gara për titullin e Serie A. Në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë, Atalanta do përballet me Fiorentinën, me ndeshjet që janë me sistemin vajtje-ardhje.

Advertisement