Connect with us

Shkrime

‘Po pse o dele, çfarë menduat ju, se ata do tja fusnin vetes së tyre’

Nga Dr. Tritan Kalo

HIPOKRIZI është fjala që përmbledh më saktë dhe më mirë GJITHSHKA, që është luajtur dhe vijon të luhet nga klasa/kasta/glasa e jonë politike në skenën e Teatrit Absurd të DEMON-KRACISË.

TRE FOTOT e mëposhtme pas fotos sime, qartazi na përcollën me kohë mesazhet se:

1- bashkë ishim që në metingun e parë të PD-së, te ish-stadiumi “Qemal Stafa”,

2- bashkë ishim që në çastet e para të pas tragjedisë së Gërdecit në 15.03.2008, mbështetje që i parapriu “atentatit të ndryshimeve kushtetuese” të 21.04.2008, dhe

3- bashkë do të vijojmë të jemi dhe të mbështesim njëri-tjetrim, në rrënimin e mëtejshëm të Demokracisë në vënd dhe në vijimin e zhagitjeve tollovitëse të Shqipërisë së këndej Drinit në udhëkryqin e saj.

“AJO PUNA E REFORMËS NË DREJTËSI” ishte thjesht një lojë? Në vazhdën e pseudo-Reformave të mos-reformimit të vëndit drejt një Sistemi socio-ekonomiko-politik të vërtetë Demokratik?

Po përse “o dele” çfarë kujtuat ju, se ne do ta reformonim Drejtësinë deri në atë shkallë, sa të binim edhe vetë brënda në çarkun e saj?! Delet pas i kemi patur dhe pas do ti kemi edhe në të ardhmen, për sa kohë na mbështesin “në kokorroçëritë tona” dhe shumëpak shohin faktet:

– se bijtë e bijat u kanë tharë vatrën familjare,
– se dita-ditës vëndi po zbrazet,
– se kostoja e jetesës vetëm rritet dhe populli vetëm e vetëm varfërohet,
– se kemi pensionet më të ulta në rajon dhe në të tërë Europën,
– se paguajmë rreth 60% të kostos së shërbimeve shëndetësore direkt nga xhepat, në një vënd ku “shëndetsia u premtua të ishte falas”,
– se po paguajnë punë të pakryera ose të pa nisura fare,
– se e paguajnë çdo kilometër rrugë disa herë më shumë se në çdo vënd të botës,
– se mbajnë me paga dhe trajtime për ti patur zili, një PARLA-PA-MENT prej 140 deputetësh, të cilët në shumicën e tyre as emri nuku i dihet e jo më të luftojnë aty për interesat e votuesve të tyre,
– se paguajnë për mbledhjet e Qeveriut nëpër resorte, ndërkohë që ka ndërtesa publike për organizimin e tyre,
– se “po zgjidhim hallet e Ukrainës”, por një fjalë të vetme se e themi për hallet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës,
– se premtuam 300.000 vënde pune që në “mandatën” e parë të Rilindjes 2013-2017, por në këto 11 vite edhe mbi 770.000 shqiptarë të tjerë janë larguar nga vëndi
– se “do vidhnim më pak se këta”, por “ja që na u prishën frenat e dorës”, sapo morëm pusht-shtetin dhe turravrapi i makinës së korrupsionit nuk po ka të ndalur, aq më keq se “shumica e të korruptuarve i hanë dardhat e kleptokracisë e të korrupsionit pas shpinës së KM”, dhe ai vetë nuk është fajtor për zgjedhjen e tyre në pozita kyçe të qeverisjes së vëndit,
– se u ngritën në Dhjetor 1990 për të përmbysur një Sistem diktatorial, dhe jo për ta zëvëndësuar atë me një Sistem Autokratik/Partitokratik/Kryetarokratik pas ndryshimeve kushtetuese të 21.04.2008, të bëra në dakordësi të plotë mes Ramës e Berishës.
– se të drejtuar e yshtyr prej kësaj klase/ kaste/glase politike i nxorëm gurëthemelet gjithshkaje që ndërtuam me mund, gjak e sakrifica për 45 vite, duke e lënë veten të pa punë pas shkatërimit të mbi 550 objekteve industriale, të minjerave, të veprave ujitëse e kulluese bujqësore, të plot hekurudhave, të mjaft shkollave e spitaleve, etj
– se duke marë mënt e tyre dhe të patronëve të tyre jashtë vëndit, NE e lamë Shqipërinë e këndej Drinit pa mbrojtje e siguri, sa edhe “kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviç” të tallej e të shprehej se “e pushtonte për tre orë Tiranën me klubin e gjahtarëve të Beogradit”….
– se jemi i vetmi anëtar i NATO-s pa një grykë topi, pa një tank dhe pa një aeroplan luftarak, kur para 1991 kishim qindra e mijra të tillë, të cilët ende sot përdoren në fushëbetejat kudo në botë.
– se po harojmë që në krye të pasurimit pa fre të vedit, në krye të punëve të “dovletit” kemi dhe vijojmë të mbajmë ata, që “Të pabukë i gjeti dita, dhe milionerë i zuri nata” (Ali Asllani), të cilët nuku kanë kufij nginje në pasuri,
– se duket që e kemi haruar plotësisht në emër të “Ballkanit të Hapur” i ideuar nga Boshti strategjik Moskë-Beograd, i cili fatmirësisht u mbyll ende pa u hapur, vetë AMANETIN e Baballarëve të Kombit kur i shpallën të mëvehtësuara Trojet Arbërore, për Bashkim Kombëtar,
-se Kosovë dhe Shqipëri apo Shqipëri e andej dhe e këndej Drinit janë një dhe të pandara, ndaj nuku ka pse të ketë kufij ndarës mes nesh, sidomos të ekzistojë absurditeti i traut me pagesë 5 euroshe, për një Rrugë të ngritur plotësisht me fonde publike,
– se DUHET së pari si Shqiptar të ngrihen dhe të kërkojnë të mirëjetojnë e të mbrothësojnë, në një vënd me pasuri të pafundme mbi dhe nëntokësore të pafundme, në një “Vënd të bekuar nga Perëndija, por të mallkuar nga vetë ne njërëzia” (FK), ku ata frymojnë ndërshekuj.

BOLL më Bashkëkombas të Shqipërisë së këndej Drinit me militantizëm partiak!
MENDONI dhe PUNONI një herë të vetme për veten, për fëmijët e familjen, si dhe për komunitetin ku frymoni, sepse SHQIPËRIA jonë mund dhe meriton të BËHET një kryezonjë në Gadishullin Ilirik.

POLITIKANËT e sotëm të të dy krahëve të politikës kurdoherë do ta gjejnë fjalën e pazareve në mes tyre, për ti zgjatur kohën pusht-shtetit të rradhës si dhe vijimësisë së grabitjes së popullit nga ana e tyre.

_upscale

Shkrime

Beogradi dhe Prishtina mirëpresin zbutje në kufi

Profesori amerikan Daniel Serwer, i cili njeh mjaftë mirë zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë ka shkruar rreth takimit të lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak.

Serwer ka thënë se të dy janë diplomatë me përvojë që e njohin mirë rajonin dhe që kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Ai kujtoi se një prej çështjeve ku ka pasur mospajtim ka qenë Ballkani i Hapur, me SHBA-në që ka pasur qëndrim përkrahës ndërkohë që BE-ja e ka konsideruar si të panevojshëm dhe dyfishim i Procesit të Berlinit.

Serwer shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.

Profesori amerikan u shpreh se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq.

“Ata i premtuan Beogradit se do kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar” – ka theksuar Serwer.

Profesori amerikan duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencoi se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje. Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë mirë në Kosovë.

“Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë. Vuçiç nuk është në gjendje ta bëjë këtë” – ka shkruar profesori amerikan.

Sipas tij, suksesi në negociata kërkon ndryshim të politikës. Serwer tha se dialogu për çështje teknike në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shtete…………………………….

“Pavarësisht zbatimit të ndotur, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit, sesa me normalizimin politik”, potencoi profesori amerikan duke theksuar se kjo është rruga e duhur për të ardhmen, duke qenë se normalizimi politik duket shumë larg.

“Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutje përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti të ligjshme”- ka deklaruar Daniel Serwer.

 

 

Continue Reading

Shkrime

Sebastian Zonja: Llafet e Ramës dhe projektet e Vuçiçit

Një shpjegim i shkurtër për vizitën e liderit kinez Shi Xhinping në Hungari dhe Serbi:

Një ndër projektet e mëdha që po financon Kina është Rruga e Mëndafshit. Duke ndërtuar hekurudha, porte dhe autostrada, gjiganti aziatik synon të vijë në zemër të tregut të madh evropian, Berlinit. Një nga rrugët në këtë pjesën tonë të Evropës është me anë të Danubit. Rruga ujore Danub -Moravë – Vardar – Deti Egje faktorizon Serbinë dhe Hungarinë, sepse të dy nuk kanë dalje në det.

Serbët e kanë si projekt gati. Ndërtimi i rrugës ujore të lundrueshme nga Danubi në Selanik konkuron me itinerarin Danub, Deti i Zi deri në detin Egje, teksa transporti lumor ka më shumë përparësi ndaj atij hekurudhor dhe rrugor, sepse ul kostot dhe ka avantazhe të mëdha në ngarkim dhe shkarkim, magazinim dhe mirëmbajtje të llojeve të ndryshme të mallrave si dhe sigurinë e tyre në tranzit. Po të lidhet me rrjetin evropian të kanaleve ujore dhe arterien Rin – Main – Danub, kanali Moravë – Vardar do të sjellë faktorizim të Serbisë dhe Hungarisë si dhe rritje të madhe të përfitimit ekonomik të Evropës Lindore dhe Perëndimore me fokus Greqinë, Serbinë dhe Hungarinë.

Nëse do të kishte sadopak strategji, qeveria shqiptare do të kishte përfunduar ndërtimin e Korridorit 8, autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe portin e madh të Durrësit. Të gjitha këto janë konform strategjisë evropiane dhe amerikane që e cilësojnë Kinën kundërshtar tregtar. Faktorizimi i portit të Durrësit vjen si konkurencë me portin e Pireut në Greqi që kanë blerë kinezët. Me anë të autostradës dhe hekurudhës deri më Nish dhe më tej, çelësin në dorë për tregtinë ballkanike do të kishte Tirana, ndaj Serbia dhe Hungaria do detyroheshin të dilnin nga Durrësi, jo nga Greqia. Vendi ynë do të fitonte peshë të re gjeostrategjike në rajon. Kroacia, strategjikisht është pro një projekti të këtillë. BE-ja po ashtu. Amerikanët kanë dhënë sinjale pozitive. Ndërkohë, të gjitha këto mbeten në letër sepse kemi pasur kryeministër Sali Berishën dhe sot kemi Edi Ramën.

Continue Reading

Shkrime

Valvula e sigurisë për Kosovën, nga Shqiprim Pula

Dikur e drejta zakonore i njihte dhe konsideronte sjelljet e shteteve si doktrinë, siç i njeh edhe e drejta ndërkombëtare publike sot. Doktrinat, kryesisht u zhvilluan nga e drejta ndërkombëtare zakonore.
Nisur nga praktika e doktrinat shtetërore, janë krijuar parimet fundamentale si ‘Pacta Sunt Servanda’ që nënkupton se marrëveshjet duhet të respektohen si ligj për palët, dhe ‘Rebus Sic Stantibus’ që nënkupton se marrëveshjet mund të pezullohen, anulohen, përfundohen apo tërhiqen prej saj. Këtë parim, si valvulë sigurie, e njeh edhe Konventa e Vjenës mbi Marrëveshjet-Traktatet, e 1969.
Padyshim, të aplikuarit e ‘Rebus Sic Stantibus’ si valvulë sigurie, paraqet një kuptim kompleks, por thirrja në argumentim ligjor dhe pragmatik politik, me konsideratë duhet edhe për Kosovën.
Si doktrinë e hershme qysh nga e drejta zakonore, shteteve për një marrëveshje apo traktat, u njihet e drejta që për shkak të ndryshimeve e rrethanave politike rrënjësisht të ndryshme nga ato të momentit të lidhjes së marrëveshjes, shteti ka të drejtë t’a pezulloj, anuloj, përfundoj apo të tërhiqet prej saj. Pra, u mundëson shteteve si palë nëshkruese, një përjashtim të drejtë për t’i ndihmuar në rirregullim të detyrimeve ligjore për shkak të ngjarjeve të shpeshta apo të rënda, që e bëjnë vazhdimin e respektimit të marrëveshjes edhe të padrejtë juridikisht e politikisht.
Doktrina ‘Rebus Sic Stantibus’ si valvulë sigurie, është e pranuar si shmangie apo si mosrespektim, nga parimi i përgjithshëm ‘Pacta Sunt Servanda’; mbase të kuptuarit e marrëdhënies ndërmjet këtyre dy doktrinave është gurthemeli i zgjidhjes së marrëveshjeve apo traktateve në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke përcaktuar se shtetet kanë arritur dakordësi për marrëveshje të tyre për të promovuar stabilitet dhe besueshmëri me detyrime ligjore, e në veçanti, kur palët janë shtete fqinje sikurse në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Doktrina ‘Rebus Sic Stantibus’ i mundëson Kuvendit Republikan që për shkak të ngjarjeve të rënda e të përsëritura politike, e edhe të agresionit ushtarak nga ana e Serbisë, t’a ndryshoj rrënjësisht thelbin e marrëveshjes (ve) duke vendos interesa të pabarabartë dhe të dëmshme, si zhvillime shkatëruese të rregullimit shtetëror dhe unitar të Republikës së Kosovës. Andaj, thirrja në pretendimin ligjor e politik të jetësimit të kësaj valvulë sigurie, është për domosdoshmërinë e frymës së drejtësisë.
Në kontekstin e marrëdhënieve ndërkombëtare mund t’i referohemi përcaktimeve të së drejtës zakonore dhe ndërkombëtare publike mbi detyrimet e zbatimit dhe të drejtën mbi pezullimin, anulimin, përfundimin apo tërheqjen nga marrëveshja me argumentimin se nuk jemi të detyruar t’a zbatojmë marrëveshjen (19 Prill, 2013) duke e shfuqizuar pjesërisht apo në tërrësinë e saj; dhe dakordimin e shprehur publik për marrëveshje (27 Shkurt, 2023) sepse, mungojnë pritshmëritë fillestare dhe se rrënjësisht janë transformuar rrethanat politike e të sigurisë, për t’i vënë theksin fushatës kundër njohjeve dhe anëtarësimeve të Kosovës në organizma ndërkombëtar; tek rëmbimi i dy zyrtarëve policor në Komunën e Podujevës nga xhandarmëria e Serbisë, e mëpas rëmbimi i tre zyrtarëve policor kufitar patrollues në Komunën e Leposaviçit; e duke kulmuar me agresion ushtarak Serb më 24 Shtator, 2023 kundër rendit kushtetues dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës; të krijuara nga pala Serbe si rrethana të paparashikuara nga pala e Kosovës, rrethana këto, thelbësisht të ndryshme nga koha kur është lidhur marrëveshja. Prandaj, mbi këto premisa, deklarimi i mëtejmë për zbatim të marrëveshjes (ve) është bërë i rënduar, i vështirë edhe i rrezikshëm, me naracionin “normalizim marrëdhëniesh”.
Doktrina ‘Rebus Sic Stantibus’ ka një hershmëri prej shekujsh tek traditat ligjore, që ka përcaktuar histori në marrëdhëniet ndërkombëtare e deri tek vendime arbitrazhi që e kanë njohur e zbatuar këtë doktrinë si ligj zakonor. Madje sot, kjo doktrinë është pjesë e shumë jurisdiksioneve të shteteve ndërlidhur me të drejtën ndërkombëtare publike, civile e kontraktuale. Kështu që, duke i konsideruar si të përmbushura kriteret e ‘Rebus Sic Stantibus’, mund t’a rishikojmë marrëveshjen apo t’a shfuqizojmë si detyrim të një anëshëm, që i kërkohet shtetit të Kosovës.
Të panumërta kanë qenë rastet që janë studiuar në marrëdhëniet ndërkombëtare që është shfrytëzuar kjo doktrinë e së drejtë ndërkombëtare, disa si në vijim; shtete të Amerikës Latine janë tërhequr nga disa marrëveshje përgjatë viteve 1930 si rezultat e Depresionit të Madh në ShBA;, tërheqja nga disa marrëveshje nga ana e Norvegjisë dhe Suedisë si rezultat i transformimeve politike nga Lufta e Parë Botërore;, shfuqizimi dhe tërheqja e Gjermanisë nga detyrime të Traktati i Versajës pas Luftës së Parë Botërore;, marrëveshja e Londrës e 1915 për pavarësinë e Armenisë u pezullua dhe shfuqizua me marrëveshjen e Lozanës;, apo marrëveshja Clayton – Bulwer e 1919 ndërmjet ShBA dhe Mbretëri e Bashkuar u shfuqizua duke u thirrur në ‘Rebus Sic Stantibus’.
Republika e Kosovës u ftua të filloj një proces dialogu që në Mars 2011 dhe më 19 Prill, 2013 në Bruksel u nënshkrua dokumenti prej pesëmbëdhjetë (15) pikash, gjashtë (6) prej tyre, për Bashkësinë e Komunave Serbe (“zajednicën”) e cila në tregun politik vendor, u shit si ‘marrëveshje ndërkombëtare’ mbi arsyen se Prishtina politike, përkatësisht qeveria atëherë, kishte nxjerr vendim (Ref; Nr.1/126) e në po të njëjtën ditë është votuar një rezolutë (Ref; Nr.04-R-10) me shumicë votash në Kuvendin Republikan si mbështetje të kësaj ‘marrëveshje’ dhe më pas më 27 Qershor, 2013 Kuvendi Republikan miraton Ligj (Ref; Nr. 04/L-199) mbi Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë – Serbi; që do të krijonin obligime shtetërore për Kosovën, veprime këto të njëanëshme, pra, vetëm nga pala jonë, duke i shkelur kështu postulatet fundamentale mbi marrëveshjet ndërkombëtare që kanë të bëjnë me tekst identik dhe veprime procedurale analoge ndërmjet shteteve si palë nënshkruese; e poashtu, njëra palë nuk mundet njëanshëm të mungoj apo shtoj ndonjë klausolë. Prandaj dhe, Prishtina politike përkatësisht Kuvendi Republikan t’a zbatoj ‘Rebus Sic Stantibus’ si praktikë ligjore, për t’i shpëtuar detyrimeve të ligjit në fuqi.
Dialogimi me naracionin “normalizim marrëdhëniesh” është bërë edhe më i rënduar, edhe më i vështirë edhe më i rrezikshëm, sepse pa një Serbi të normalizuar NUK ka normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi, e pa Serbi të normalizuar NUK ka as paqe e siguri të rajonit.
Çfarë i duhet këtij procesi për një paqe të përhershme dhe fqinjësi, përmes emisarëve të rrinjë për këtë proces është të transformohet konteksti i dialogut që do të shpiente në një marrëveshje paqeje sikurse ai ndërmjet Sllovenisë e Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në Korrik 1991 në Brijone, apo ai ndërmjet Kroacisë dhe Jugosllavisë (Serbisë) i arritur në Gusht 1996 që do të garantonte njohjen e ndërsjelltë (të paktën përfaqësim diplomatik në nivel ambasadash), kthimin e të pagjeturve, dëmet e luftës dhe dëmshpërblimin e viktimave të luftës, për të arritur normalizimin e marrëdhënieve si dy shtete fqinje.
Continue Reading

Shkrime

Analizë: A po e humb Perëndimi betejën me Kinën për zemrën e Serbisë?

Vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Serbi këtë javë nxorri në rrugë një numër të madh njerëzish që mbanin flamujt serbë dhe kinezë dhe thekson miqësinë e “çeliktë” të të dy vendeve. Në Perëndim, kjo ngriti shumë pikëpyetje për rolin e ardhshëm të Serbisë në Evropë.

Analistët thonë se ky ishte pikërisht qëllimi. Në një kohë rivaliteti global midis Pekinit dhe Uashingtonit, mesazhet që Presidenti Xi dha në Beograd dukeshin se synonin një audiencë shumë më të gjerë.

Presidenti Xi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç nënshkruan një sërë marrëveshjesh dypalëshe të mërkurën. Ato u nënshkruan në 25 vjetorin e bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës Kineze në Beograd në vitin 1999 për të ndaluar spastrimin etnik të shqiptarëve në Kosovë. Shtetet e Bashkuara kërkuan falje për këtë veprim, duke e quajtur atë “një gabim”.

David Shullman, ekspert mbi Kinën në Këshillin Atlantik me bazë në Uashington, i tha Zërit të Amerikës se mbërritja e Presidentit Xi në Beograd në këtë përvjetor kishte për qëllim dërgimin e një mesazhi më të gjerë në kontekstin e luftës në Ukrainë: se Kina nuk është një “nxitëse e luftës” si Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja.

Mesazhet kineze, tha zoti Shullman, “përsërisin mesazhet e Rusisë për luftën në Ukrainë, se nuk duhet fajësuar Rusia, por Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja për ‘ndezjen e flakëve’ të luftës, për vazhdimin e mbështetjes për ukrainasit dhe se Kina është ajo që nxit paqen dhe stabilitetin.

“Ekziston një bindje në sistemin kinez se kjo është një pikë me rëndësi që lidh Kinën dhe Serbinë. Kjo përshtatet edhe me mesazhin që Kina ka dhënë për NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara”.

Presidenti i Kinës iu referua bombardimit të ambasadës kineze në një shkrim të tij të martën të botuar në gazetën pro-qeveritare të Serbisë Politika: “Populli i Kinës e vlerëson paqen, por ata kurrë nuk do të lejojnë që një tragjedi e tillë historike të ndodhë përsëri”, shkroi ai.

Paul McCarthy, drejtor për Evropën në Institutin Ndërkombëtar Republikan në Uashington, bie dakord se koha e vizitës së Presidentit Xi nuk ishte një rastësi.

“Unë mendoj se e gjithë vizita e Presidentit Xi në Evropë u organizua rreth 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s”, thotë ai. “Kjo ishte një mundësi e rëndësishme që kinezët të mos e humbisnin dhe që thekson pozicionin e Serbisë dhe mosmarrëveshjen strategjike me Perëndimin prej 25 vjetësh.

Presidentët Xi dhe Vuçiç nënshkruan një deklaratë për “të ardhmen e përbashkët” të të dy vendeve, të cilën presidenti serb e përshkroi si një nivel mbi Partneritetin Strategjik Gjithëpërfshirës për të cilën të dy vendet ranë dakord në vitin 2016.

Sipas analistit të Këshillit Atlantik, Shullman – Presidenti Xi ka përdorur shpesh fjalinë “e ardhmja e përbashkët” për të treguar se ai dëshiron një ekuilibër të ri të fuqisë në botë.

“Historia e kësaj të ardhmeje të përbashkët është se Kina dëshiron të krijojë një rend global që është më pak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, që është shumëpolar, një rend ndërkombëtar më ‘demokratik’ – siç shprehen kinezët”, tha ai.

“Në thelb, është një rend botëror që nuk udhëhiqet më nga Shtetet e Bashkuara dhe në të cilin Kina luan një rol më domethënës”, thotë zoti Shullman.

Ai shton: “Fakti që flitet për Serbinë si vendi i parë evropian që do të jetë pjesë e këtij komuniteti dhe ‘të ardhmen e përbashkët’, kjo tregon se për udhëheqësit kinezë, veçanërisht Presidentin Xi, Serbia ka një rëndësi të madhe … si partner ekonomik dhe si një vend kandidat për në BE”.

Për më tepër, vizita e Presidentit Xi në Serbi i tregoi Uashingtonit se Kina ka partnerë të besueshëm në Evropë dhe se Shtetet e Bashkuara “nuk do të jenë në gjendje ta mbajnë Evropën në tërësi në anën e saj”.

Kina zotëron miniera dhe fabrika në të gjithë Serbinë dhe ka ofruar financime me vlerë prej miliarda dollarësh për rrugë, ura dhe objekte të ndryshme, duke u bërë partneri kryesor i Serbisë në zhvillimin e infrastrukturës shumë të nevojshme.

Megjithatë, disa ekspertë thonë se e ardhmja e bashkëpunimit midis Beogradit dhe Pekinit është e pasigurt, duke pasur parasysh marrëdhëniet e ndërlikuara midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Vuk Vuksanoviç, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, i tha Zërit të Amerikës se zgjerimi i bashkëpunimit midis Serbisë dhe Kinës nga një partneritet strategjik në nivelin e “ndërtimit të një komuniteti të Serbisë dhe Kinës me një të ardhme të përbashkët” është pak më shumë se një lojë diplomatike që i përshtatet të dyja qeverive momentalisht.

Ai shtoi se marrëdhënia e ardhshme varet shumë më tepër nga Pekini sesa nga Beogradi.

“Marrëveshja e mëparshme e partneritetit strategjik ishte një deklaratë e përbashkët e vitit 2009 që kishte retorikë të ngrohtë, por në fakt nuk solli ndonjë transformim monumental të marrëdhënieve”, tha ai.

“Kështu ishte deri në kohën kur Kina tregoi interes më të madh për Ballkanin për shkak të Iniciativës “Një brez, një rrugë”, një strategji masive e zhvillimit të infrastrukturës globale e udhëhequr nga Kina. Unë mendoj se pyetja kryesore për Shtetet e Bashkuara do të jetë nëse ky bashkëpunim do të përfshijë ndonjë projekt madhor në fushën e mbrojtjes dhe teknologjisë së lartë”.

Zoti McCarthy nga Instituti Republikan Ndërkombëtar thotë se është e paqartë se si marrëveshjet midis Serbisë dhe Kinës dhe planet për një “të ardhme të përbashkët” do të ndikojnë në marrëdhëniet e Serbisë me Perëndimin.

Megjithatë, vë në dukje ai, një marrëveshje e tregtisë së lirë midis Kinës dhe Serbisë që hyn në fuqi në korrik “e kthen Serbinë më shumë drejt Lindjes”, duke ngritur pyetjen se “sa serioze është Serbia në rrugën e saj evropiane”.

Ai shton se “nga këndvështrimi i Uashingtonit, ata mund të ndihen sikur po humbasin betejën për zemrën e Serbisë”.

Continue Reading

Shkrime

Inceneratori i Gent Sejkos në Bankën e Shqipërisë dhe opozita që si rruhet fare

Nga Klodian Tomorri

Shikoni ca vendi eshte ky.

Cohen dy mashtrues, me historik problematik te faktuar dhe marrin nje licence ne Banken e Shqiperise. Me kete licencen ngrene nje skeme kombetare mashtrimi.

Skema eshte njesoj si inceneratori, identik. Beri qeveria, incenerator? Beri dhe Banka e Shqiperise inceneratorin e vet. Por me nje ndryshim. Ai i qeverise vidhte leket e buxhetit. Ky inceneratori i Bankes se Shqiperise, vjedh direkt leket dhe pronat e qytetareve.

Nejse. Fillojne mediat te nxjerrin detajet e para te mashtrimit. Dalin raste, qe njerezit kane marre vetem 1 milione leke kredi dhe kane perfunduar me 20 mije euro borxh. Opozita hic.

Publikohen raste me kartela te tjetersuara pronesie. Opozita prape hic.

Dalin shifrat qe skema ka prekur 100 mije qytetare. Opozita prape nuk degjon.

Ngaqe ujrat e zeza jane bere kavalete, institucionet fillojne ping pongun per t’i ngecur fajin njera tjetres. Ministria e Drejtesise i thote Bankes se Shqiperise nderhyr ti se po behet masaker. Banka e Shqiperise thote, une vetem licencoj, bej rregulla dhe mbikqyr, por nuk kam pergjegjesi kur ata qe licencoj une vjedhin.

Zakonisht keta, keto lloj prapesirash i fshehin. Fakti qe po mundohen ti ngecin fajin njeri tjetrit tani do te thote se zarari i bere eshte shume i madh. Por opozita prape nuk do t’ia dije hic.

Tani, shkon ministri i drejtesise ne Parlament. E dini kush e ngre problemin e skemes se mashtrimit? Damian Gjiknuri.

Nje deputet i maxhorances, i cili e di qe skema ka prekur dhe qytetaret e zones se vete elektorale. Ndersa opozites nuk i rruhet fare. Po fare.

Hajde shpjegoje ti tani ca lloj vendi eshte ketu.

Ne 100 mije veta te prekur, mos te tentosh te marresh asnje vote!!!! Varja qe te mbrosh miletin se kjo eshte bere luks. Por bej lufte te marresh dy vota te pakten.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING