Bota
Shuplakë për gabimet/ Sinjal i fortë nga zemra e Evropës: Jo më anëtarësim pa garanci
Bashkimi Evropian po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve të përkohshme të votimit dhe mekanizmave të rinj mbikëqyrës për vendet që do t’i bashkohen unionit në të ardhmen.
Sipas një dokumenti të siguruar nga Reuters, Franca, Gjermania, Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu kërkojnë një debat të thelluar mbi garancitë që duhet të shoqërojnë procesin e zgjerimit të BE-së.
Propozimi vjen në një moment kur Mali i Zi synon anëtarësimin në vitin 2028, ndërsa Shqipëria, Ukraina dhe Moldavia po përpiqen të avancojnë negociatat e tyre me Brukselin.
Pesë vendet sugjerojnë krijimin e një mekanizmi të ri monitorimi dhe një klauzole mbrojtëse që do t’i lejonte BE-së të ndërmarrë masa ndaj vendeve të reja anëtare në rast të regresit serioz në fusha si demokracia, shteti i së drejtës dhe liria e medias.
Një nga propozimet më të diskutuara lidhet me kufizimin e përkohshëm të disa të drejtave të votës për anëtarët e rinj, veçanërisht në fusha ku vendimmarrja kërkon unanimitetin e të gjitha shteteve anëtare, si politika e jashtme, zgjerimi dhe buxheti i BE-së.
Nisma reflekton shqetësimet e disa kryeqyteteve evropiane pas përvojës me Hungarinë, ku përplasjet mbi shtetin e së drejtës dhe standardet demokratike kanë bllokuar shpesh vendimmarrjen në nivel unionit.
Ndërkohë, Qiproja, e cila mban presidencën e radhës së Këshillit të BE-së, ka njoftuar se ka nisur përgatitjet për hapjen e negociatave mbi grupkapitujt e parë me Ukrainën dhe Moldavinë, të fokusuar te demokracia dhe sundimi i ligjit.