Politike
Basha kritikon marrëveshjen mes PS dhe Rithemelimit: Pazar i turpshëm për interesat e Ramës…
Lulzim Basha ditën e sotme ka marrë pjesë në Kuvendin zgjedhor të degës 13 në kryeqytet.
Nga aty Basha ka kritikuar sërish marrëveshjen mes mazhorancës dhe Rithemelimit për normalizimin e jetës parlamentare.
Basha tha se marrëveshja është bërë për interesat personalë të Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Basha: Pazari i turpshëm i 48 orëve të fundit, por që në fakt ka qenë tenxhere me presion prej fillimit. Sepse hallexhinjtë e kësaj marke ia dinë gjuhën njëri-tjetrit, ia dinë ku i dhemb njëri-tjetrit dhe janë të gatshëm të bëjnë pazare me njëri-tjetrin për njëri-tjetrin, por jo për shqiptarët. Pazari i fundit, është padiskutim një pazar i pastër për interesat në radhë të parë dhe mbi të gjitha të Edi Ramës, i cili e sheh dhe e ndjek kudo që politikisht sot është një pakicë absolute në popull, bashkë me gjysmën e qeverisë, sepse gjysma tjetër ia ka marrë SPAK-u apo është në kërkim ndërkombëtar, interesat e Sali Berishës dhe interesat e disa vulëhumburve që sic erdhën ashtu po ikin të katapultuar në politikë pa asnjë farë kontributi dhe që u janë ngjitur sytë, veshët, stomaku dhe të prapmet pas karrigeve që kanë qëllim të vetëm të ruajnë këto karrige duke sakrifikuar aspiratën e demokratëve dhe të shqiptarëve për rotacion.
Ndërsa revolucioni 5 mujor i opozitës bëri që Rama të kalojë ligjet që dëshiron oa debat, sipas Bashës.
Basha: Pesë muaj i ashtëquajturi revolucion, çfarë prodhoi? Prodhoi që Edi Rama të kalojë ça i desh qejfi. Nga buxheti, te aktet korruptive, te heqja e parave për pronarët, tek investimet strategjike pa asnjë kritikë opozitare, pa u dëgjuar zëri i opozitës në Parlament. Se në vend që të flisnin, i binin bilbilave. Për çfarë i ranë bilbilave? Që nga 8 të mernin 2 komisione. Dhe këto 2 komisione, objekti është të shikojnë masat administrative dhe të përmirësojnë ligjet që mos të vjedhi Edi Rama. Sepse Edi Rama dhe Ilir Beqja vjedhin se janë ligjet e këqija. Dhe nga këta të dy, njëri siç e keni parë dhe dëgjuar SPAK-u të hënën komunikon akuzat dhe po bëhet gati të çojë në burg të pandehurit. Pse shqiptaret duhet të jenë të lumtur me këtë Pazar? Përkundrazi, për turpin e tyre po pranojnë të kthehen në një fasadë për Edi Ramën që të ruajnë kushtetutën e 2008-ës dhe të ruajnë listat e mbyllura, dhe të ruajnë kontrollin politik së bashku me atë tjetrin dhe në këtë mënyrë të sigurojnë një monopol politik për veten e tyre. i kanë të qarta gjërat, Edi Rama do të vazhdojë i pashqetësuar pushtetin. Ky tjetri gëzohet me shpresën e vakët dhe të reme, se po e konsideron partner. Ndërsa këta të tjerët thonë 2025-sa iku, të kapim një karrige me votat e plakut se pastaj s’dihet se çfarë ndodh me plakun.