Shkrime
Çfarë fshihet pas vizitës së Ramës dhe Vuçiç në Paris
Javën e kaluar, kryeministri Edi Rama qëndroi në Paris, me ftesë të presidentit francez, Emmanuel Macron. Kjo vizitë e tij erdhi menjëherë pas asaj të presidentit serb, Aleksander Vuçiç.
Për këto takime ka folur edhe profesori Enver Bytyçi.
Së pari, ai u shpreh i befasuar se si Vuçic shkoi në Paris me një çek prej 3 miliardë dollarësh për të blerë nga Franca avionë, armatime e logjistikë ushtarake
“Brenda një jave presidenti francez, Emmanuel Macron, priti me ceremoni ushtarake dy liderët kryesorë, presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçic dhe kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Vizitën e parë në Elize e bëri kreu i shtetit të Serbisë. Ai shkoi aty me një çek prej 3 miliardë dollarësh për të blerë nga Franca avionë, armatime e logjistikë ushtarake. Ky biznes midis Macron dhe Vuçic është i majmë për Francën. Por e habitshme është se si Serbia sakrifikon kaq shumë, kur buxheti i saj është i kufizuar për të shpenzuar kaq shumë me një vend të caktuar, qoftë kjo edhe Franca, një mike e përhershme tradicionale e Serbisë” – analizoi Bytyçi
Krahas kësaj, ai i vlerësoi këto vizita si përpjekje për të plotësuar orekset serbe në Kosovë në radhë të parë.
“Nisur nga kjo pikëpyetje e shoqëruar me pikëçuditëse, unë mendoj se kreu i shtetit serb shkoi në Paris për të përfituar interesa gjeopolitike në rajonin tonë e sidomos në Kosovë. Ne do ta shohim se çfarë qëndrimesh do të mbajë Franca dhe presidenti i saj ndaj Kosovës në javët e muajt e ardhshëm. Por unë nuk kam asnjë dilemë, se milardat serbe adresohen për të blerë ndikimin gjeopolitik të Serbisë në Ballkan, gjë që i intereson edhe Macron-it. Pse i intereson presidentit francez që Serbia të ruajë dominimin e saj në Ballkan. Sepse është dera e hapur e Francës për ndikim në të gjithë rajonin. Kësisoj këto dy vizita i shoh si përpjekje për të plotësuar orekset serbe në Kosovë në radhë të pare”.
Në vazhdim, profesori potencoi se ftesa e Macron për Ramën erdhi si rekomandim i Vuçicit, si shkas i një distancimi të tyre, me qëllim riafrimi.
“Kjo ftesë u bë me rekomandimin e presidentit të Serbisë. Ndoshta Vuçic ka vënë re një lloj distance kohëve të fundit të Ramës dhe kërkoi riafrim midis tyre. Këtë ndërmjetësi mund ta kryente vetëm presidenti i Francës. Publikisht ne kemi njohur thjesht deklaratat përkatëse për marrëdhëniet Shqipëri-Francë. Por jam i sigurt se vizita ka për qëllim marrëveshje me Ramën në favor të Macron dhe të Vuçic. Cila do të jetë ajo marrëveshje? Nuk mund të profetizojmë. Megjithatë ndjesitë veprojnë. Ka shumë gjasa që Rama të marrë zotime për të ndikuar në Kosovë, sigurisht në ndonjë projekt të Serbisë atje. Por mund të ketë edhe ndonjë dakordësi për ndonjë kamp tjetër refugjatësh që vijnë nga Franca në Shqipëri”.
Më tej, Bytyçi komentoi treshen Rama-Vuçiç-Macron dhe raportet e tyre.
Madje, tha se historia do të shënojë fakte, të dhëna e dëshmi autentike, me të cilat do të provojë qëndrimet politike pro-Serbisë dhe kundër Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë.
“Historikisht politikanët shqiptarë pro-serbë kanë qenë gjithmonë edhe pro-francezë. Dhe e kundërta. Kështu ka ndodhur me Esat Pashë Toptanin dhe Enver Hoxhën. Tani vendin e këtyre të dyve e ka zënë kryeministri i sotëm, Edi Rama. Ky është rasti tipik që na dëshmon se si një emigrant në Francë vjen në pushtet dhe ende pa u promovuar vihet në marrëveshje anti-shqiptare me presidentin e Serbisë, asokohe kryeministër, kundër Kosovës. Historia do të shënojë fakte, të dhëna e dëshmi autentike, me të cilat do të provojë qëndrimet politike pro-Serbisë dhe kundër Kosovës të kryeministrit të Shqipërisë. Edhe kjo vizitë e tij në Elize shkon në këtë drejtim. Nuk bën përjashtim” – deklaroi Bytyçi…….
Ndër të tjera, profesori shtoi se shumë shpejt do ia shohim “tymin” asaj se çfarë fshihet konkretisht pas kësaj vizite të njëpasnjëshme të Vuçic dhe Edi Ramës.
“Shqipëria asnjëherë përveçse në periudhën e komunizmit nuk e ka veçuar Francën si mike të Shqipërisë. Ka bërë kujdes të ruajë ekuilibrat në harmoni me interesat kombëtare me të gjitha fuqitë europiane, pa dhënë të kuptojë se anon nga njëra ose tjetra prej tyre. Edi Rama I ka prishur këto ekuilibra edhe në raport me fqinjët ballkanikë, edhe me fuqitë europiane. Në fakt “dera e hapur për Francën” si përcaktim i kryeministrit Rama mund të përkthehet si marrëveshje për ndonjë favor. Do ia shohim tymin shpejt besoj se çfarë fshihet konkretisht pas kësaj vizite. Unë mendoj se politikanë të tjerë, si dhe analistë politikë shqiptarë, por pro-serbë e pro-sllavë do të përfitojnë nga kjo vizitë. Do të marrin kurajo dhe do të nxjerrin në publik intrigën e këtyre dy vizitave. Uroj te ketë sa më pak opozitarë në Kosovë e sa më pak socialistë në Tiranë, sa më pak politikanë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të Malit të Zi e Luginës së Preshevës të bëhen interpretë dhe mbështetës të projekteve anti-shqiptare të Macron-Vuçic-Rama” – potencoi Enver Bytyçi