Kosova
Lahet biografia e krimit, ja si e përdori Vuçiçi, Srebrenicën dhe historinë e popullit gjenocidal
Ndonëse Rezoluta për Srebrenicën u miratua në Kombet e Bashkuara, serbët nuk u shpallen komb gjenocidal, të cilin qeveria e ka trumbetuar shpesh ditët e fundit. Analistët pohojnë se ajo ka përdorimin e saj të brendshëm, politik ditor, ndërsa një pjesë e publikut e interpretoi si “larje” të biografive të aktorëve që vendosën dhe morën vendime kyçe gjatë viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.
Edhe pse ishte e qartë edhe pa shtimin e amendamenteve malazeze se me miratimin e Rezolutës për Srebrenicën populli serb nuk do të ishte gjenocidal, tani nuk ka dilemë – nuk do të ketë faj kolektiv.
Përgjegjësit janë individë, jo populli, edhe pse prej ditësh opinioni i hutuar serb është bombarduar me deklarata të pushtetit se fajin do ta kemi të gjithë.
Edhe pse juristë, politologë dhe ekspertë të tjerë u përpoqën të shpjegojnë se është e pamundur të shpallet një komb gjenocidal, qeveria serbe e udhëhequr nga presidenti pretendoi të kundërtën – qëllimi ishte t’i damkoset serbët dhe t’i shënjonin me fjalën “më të keqe” të mundshme – gjenocid.
“ Krahas manipulimeve përmes damkosjes së mbarë kombit, ishte edhe një larje biografish. Ata që ishin politikëbërës në vitet nëntëdhjetë tani janë lojtarë kyç në skenën politike. Duke shtyrë tezën se populli serb është gjenocidal, ata u përpoqën të lajnë përgjegjësitë që kishin” – deklaroi Aleksandar Popov nga Qendra për rajonalizëm
Ai u shpreh gjithashtu se do të vazhdojmë të dëgjojmë nga presidenti Aleksandar Vuçic se fajin e ka i gjithë populli sepse kjo ka vlerën e vet të brendshme të përdorimit.
“Vuçic do të vazhdojë të insistojë se ky është një mashtrim perfid, se kjo është e drejtuar, në fund të fundit, kundër gjithë popullit serb, kundër të cilit gjoja e gjithë bota është inatosur. E gjithë kjo është në shërbim të politikës së brendshme, që synon publikun e brendshëm për të treguar se beteja te mëdha po bëhen për të ruajtur imazhin dhe krenarinë. Mantra do të mbetet e njëjtë, gjë që justifikon dështimet e mëdha të politikës së brendshme dhe të jashtme” – shpjegoi Popov.