Connect with us

Politike

Deri në 12 qershor të mbyllet kjo bisedë/ Çfarë po paralajmëron Rama për ‘Zvërnecin’

Kryeministri Edi Rama bëri thirrje që deri në 12 qershor të mbyllet diskutimi publik për investimin në Zvërnec. Deri deri në kete date sipas kryeministrit  Rama, duhet të ndahet ambientalizmi i vërtetë nga informacionet e rreme, të cilat ai i cilësoi ‘llapaqorrizmi dhe qorrollapizmi’.
Kujtojmë se në 12 qershor në Tiranë do të organizohet një festë e madhe për 35-vjetorin e themelimit të PS në Shqipëri, ku pritet të ketë një prezencë të madhe të socialistëve.
“Drejtimi i një vendi nuk ka lidhje me këtë. Partia Socialiste s’e duhet t’ia kujtoj të gjithëve, Partia Socialiste është zgjedhur për të udhëhequr, jo për t’i shkuar nga mbrapa të tjerëve, dhe deri në 12 qershor që kemi festën e madhe që unë besoj do vini dhe ju në Tiranë, është mirë që të mbyllet kjo bisedë dhe të ndahet ambientalizmi nga llapaqorrizmi dhe nga qorrollapizmi. Duhet të ndahet! Kush e do bulevardin për ta qorrollapuar të shkojë ta qorrollapojë. Kush është në bulevard akoma apo kush simpatizon me bulevardin për Sazanin, a do shitet a s’do shitet, a është shitur a s’është shitur për Zvërnecin, a do betonohet, a s’do betonohet, a do ndërtohet, si do ndërtohet, a do mbrohet, a s’do mbrohet, për zhvillimin e Shqipërisë dhe për mënyrën se si ne do të ndërtojmë në ato pika ku janë të ndjeshme”, tha mes të tjerash Rama.
Ende nuk dihet se çfarë po paralajmëron Rama se do të ndodhë gjatë këtyre ditëve, që sipas tij duhet të çojë në mbylljen e diskutimeve për ‘Zvërnecin’.

Rama preku edhe protestat që kundërshtojnë investimin në Zvërnec, duke thënë se ato janë të ndikuara nga forca të huaja.

Më tej kryeministri Rama tha se dikur Shqipëria ka qenë vendi ku bëhej turizëm gjuetie, për të vrarë ilegalisht me çifte kafshët dhe shpendët.

“Ajo që po ndodh sot me Shqipërinë dhe pse Shqipëria po përdoret kaq masivisht në vende dhe nga njerëz që nuk kanë dhimbje për flamingot e Zvërnecit, por se Shqipëria sot është në epiqendër të një sërë përplasjesh. Nuk po them që njerëzit që dalin atje janë agjent, spiunë apo të futur nga forca të errëta, por është një pjesë njerëzish atje që kanë rënë pre e gjithë këtyre gjërave. Shqipëria ka qenë vendi ku bëhej turizëm gjuetie. Njësoj si trafiqet, kishte një sistem të tërë për të sjellë turistë me çifte. Ishte turizmi i vrasjes ilegale të vrasjes së kafshëve e shpendëve në Shqipëri”, tha mes të tjerash Rama.

Kryeministri ka sulmuar edhe kryedemokratin Sali Berisha, duke thënë se gjatë kohës që ai ishte në pushtet, ka dhënë koncesione për 12 hidrocentrale në Valbonë. Rama shtoi se njerëzit u vranë e u sakatuan duke i shkuar pas Berishës, por sipas tij, kur ai ishte kryeministër nuk shtroi as rrugën deri në Valbonë.

Advertisement