Connect with us

Politike

’11 qershori, ditë historike’/ Berisha mbledh Këshillin Kombëtar

Historik e ka cilësuar ish-Kryeministri Sali Berisha 11 qershorin, ditën kur Gjykata e Apelit, i dha vulën dhe logon, grupimit të drejtuar prej tij, Rithemelimit.

Në fjalën e mbajtur “online” në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD-së, Berisha tha se vështirësitë që kaluam e bashkuan edhe më shumë këtë forcë politike, demokratët.

Berisha tha se sa herë të keni dyshime duhet të kujtoni flamurin e PD-së.

“Fitorja është objektivi ynë në zgjedhjet e ardhshme. Kurrë nuk e ka merituar një forcë politike pushtetin më shumë se PD. Objektivi i parë u krye, shpëtuam flamurin dhe logon. Objektivin e dytë e realizuam, nuk ka forcë që na ndal ne, dhe objektivin e 3-të kemi fitorën në zgjedhje, që ia kemi borxh shqiptarëve që nuk votuan për narko-shtetin, ua kemi borxh demokratëve që qëndruan, ia kemi borxh 47 % të fëmijëve që vuajnë për bukën e gojës, ia kemi borxh mijëra e mijëra shqiptarëve kudo që janë”, tha Berisha.
b

Në fjalën e tij, kreu demokrat faldenroi demokratët dhe demokratet për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj partie, për qëndresën e treguar dhe sakrificat që kanë bërë.

“Të gjitha këto atribute tuaja bëjnë që mbledhja e sotme e këtij forumi të ketë një rëndësi të veçantë, që nuk e ka pasur asnjë mbledhje tjetër qysh nga rithemelimi i PD, sepse nëse në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar, ne ende nuk kishim realizuar plotësisht asnjërin nga një nga tre objektivat tonë madhorë, sot ne mblidhemi pasi dy nga tre objektivat tonë më madhorë, për arritjen e misionit tonë, ne i kemi përmbushur.

Realizimi i këtyre dy objektivave bën që sot Shqipëria të jetë në një realitet të ri, që deri para pak kohësh do të ngjante i pamundur.

Shkurtimisht do ti dedikoj disa fjalë, dy objektivave që ne kemi arritur.

Në mars të vitit 1992, kur PD erdhi në pushtet herën e parë, në fjalimin e fitores ju drejtova shqiptarëve me këto fjalë: Gëzuar ditën e parë të demokracisë.

Ato fjalë sintezojnë më së miri misionin e atëhershëm të kësaj partie, sepse me atë akt PD ndante epokat për Shqipërinë. Ato fjalë ndanë diktaturën ideologjike nga demokracia.

Në mënyrë të ngjashme, kur PD të fitojë vitin e ardhëshëm, dhe ua theksoj këtë: fitorja vitin e ardhshëm është në duart tona. Pra kur PD të fitojë vitin e ardhshëm, fjalimi i fitores do të hapet me fjalët: Gëzuar ditën e parë të rikthimit të demokracisë.

Kjo miqtë e mi është rëndësia e misionit tonë.

Misioni ynë ndan përfundimisht narkoshtetin nga demokracia.

Misioni ynë çliron përfundimisht Shqipërinë nga pushtimi më i egër i brendshëm që i është bërë këtij vendi.

Misioni ynë shpëton Shqipërinë”, tha Berisha.

Advertisement