Politike
KQZ vendos nesër për zgjedhjet në Himarë, zbardhet pr/vendimi dhe shkaqet pse Beleri nuk ushtron dot detyrën
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të vendosë të enjten (4 korrik) lidhur me zgjedhjet e parakohshme për kryebashkiak të Himarës.
Në projektvendimin e hartuar nga KQZ, vlerësohet se z. Beleri i zgjedhur Kryetar i Bashkisë Himarë nuk mund të ushtrojë këtë detyrë për shkak të ndalimit që vjen nga ligji 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Në projektvendim thuhet se pas shkresave që i është nisur GJKKO-së nga KQZ, Gykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me shkresën nr.933/1 prot, datë 1.07.2024, ka dërguar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve shkurtimin e vendimit penal nr. 26, datë 25.06.2024, dhënë në ngarkim të z. Dhionisios (Alfred) Petro Beleri.
Sipas këtij vendimi të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është vendosur lënia në fuqi e vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 e Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, sipas së cilës është vendosur: “Deklarimi fajtor i të pandehurve Pandeli Kokaveshi dhe Dhionisios (Alfred) Beleri, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim dhe dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
Në nenin 2 pika 1 shkronja “b” e ligjit 138/2015 “ Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, përcaktohet se vepra penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i K.Penal hyn në kategorinë e veprave penale, për kryerjen e të cilave persona të caktuar nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie, etj. Në nenin 10, pika 1, shkronja “ç”, të ligjit nr. 138/2015, përcaktohet se KQZ brenda kompetencave të veta, “…shpall pavlefshmërinë e mandatit kur kushtet e moskandidimit dhe moszgjedhshmërisë verifikohen pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, në përputhje me Kodin Zgjedhor dhe para fillimit të ushtrimit të mandatit nga personi i shpallur i zgjedhur në kundërshtim me këtë nen, si dhe shpall mandatin, në përputhje me Kodin Zgjedhor…”.