Connect with us

Aktualitet

U arrestuan pas dëshmive të Nuredin Dumanit, GJKKO jep vendimin për dy të dënuarit

Gjykata e Posaçme jep vendimin per te pandehurit Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi. GJKKO dënoi Agron Qafan me 8 vite burg dhe Florenc Çekrezin me 3 vite e 4 muaj burg.

Sipas një njoftimi zyrtar, Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar.

Njoftimi i GJKKO

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: Dërgimin për gjykim të ҫështjes penale në ngarkim të të pandehurve Agron Qafa dhe Florenc Çekrezi.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Eglantina Mikani, Bib Ndreca dhe Olkeda Lice, me vendimin Nr. 46, datë 19.07.2024 vendosi:

Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale të “Vjedhjes me dhune”, në dëm të viktimës ****, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të
strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi strukturuar kriminal” parashikuar përkatësisht nga nenet 139, në lidhje me nenet 28, pika 4 dhe 334, pika 1 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 12 (dymbëdhjetë) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Agron Qafa për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal” në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a,
paragrafi i dytë i Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 2 (dy) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Agron Qafa me 12 (dymbëdhjetë) vjet
burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 8 (tetë) vjet burgim.

Në mbështetje të nenit 15, 16 pika 1, gërma a) të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Agron Qafa ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Lartë dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 152/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 3 (tre) vjet burgim.

Deklarimin fajtor të të pandehurit Florenc Çekrezi për veprën penale të “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim të thjeshtë, në dëm të shtetasit ****, parashikuar nga neni 278/1 dhe 25 të Kodit Penal, dhe dënimin e tij me 5(pesë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 55, paragrafi i parë i Kodit Penal, bashkimin e dënimeve dhe dënimin përfundimisht të të pandehurit Florenc Çekrezi me 5(pesë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale, i ulet 1/3 e dënimit duke u dënuar i pandehuri përfundimisht me 3 (tre) vjet e 4 (katër) muaj burgim.

Në mbështetje të nenit 15, 18 të ligjit Nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, këtë dënim, i pandehuri Florenc Çekrezi, ta kryejë në një Institucion të Sigurisë së Zakonshme dhe llogaritja e dënimit fillon nga dita e arrestimit të tij.

Provat materiale të disponohen në përfundim të gjykimit të procedimit të lidhur që gjykohet pranë kësaj gjykate.

Advertisement